Punimet në landfillin e Sherishtës në Vlorë pritet të nisin brenda pak muajsh. Bashkia e Vlorës ka prishur kontratën me kompaninë e sekuestruar  “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos dhe pritet të lidhë kontratë me një kompani të re për të finalizuar projektin.

Lajmi u i ditur nga drejtori Ndërmarrjes së Shërbime Publike në Bashkinë e Vlorës, teksa gjendej në fushën aktuale të mbetjeve urbane e cila po digjet për të disatën herë.

“Me sa jam në dijeni, kryetari i bashkisë ka prishur marrëveshjen që ka pasur bashkia me operatorin që operonte në landfillin e Vlorës dhe presim së shpejti që ne të fillojmë të depozitojmë në landfillin e ri dhe kjo fushëmbetje do të merret në dorëzim nga KFV-ja për të bërë atë që ka pasur në projekt, mbulimin e gjithë sipërfaqes. Është një projekt afatgjatë që do të zgjasë po sapo të nisë puna do të shohim efektet e para, ku nuk do të ketë më raste të përsëritjes së zjarrit .

I kontaktuar me telefon nga Report TV, kryetari i Bashhkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “në landfill janë kryer 93 për qind e punimeve. Për pjesën e mbetur jemi në bisedime me financuesin, KFV për ti dhene zgjidhjen sipas kontratës sepse afatet janë tejkaluar”.

Sa i përket zjarrit, që ka vijuar prej ditës së djeshme në landfill, kreu i ndërmarrjes së shërbimeve publike tha se tymi ka penguar më së shumti punë për shuarjen e flakëve.Ndërsa për shuarjen e flakëve në këtë ladfill do të ndërhyhet me shtresa rëre ose inerte për të izoluar vatrat e zjarrit.

“Zjarri ka rënë rreth orës 22:00 të mbrëmjes, era e fortë e ka ndihmuar zjarrin të përhapet në pjesën më të madhe të vendgrumbullimit të mbetjeve, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve. Gjatë gjithë natës, të gjithë institucionet në varësi të bashkisë kanë punuar për shuarjen e flakëve, por vështirësia më e madhe për ta që nuk i ka lënë të punojnë është tymi. Por zjarri tani është më në kontroll se sa gjatë natës, ndonëse është ende një varët aktive. Në këto momente do të fillojmë ndërhyrjen me rënë, do të hedhim rërë mbi vatrat e zjarrit dhe për pak orë do të kemi në kontroll situatën në të gjithë landfillin”, kështu është shprehur për mediat kreu i Ndërmarrjes së shërbimeve publike Edi Leka, mëngjesin e kësaj të shtune.

Ndërtimi i landfillit të Sherishtës është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve me vlerë 20.8 milionë euro, financuar nga KFV nga të cilat 12.5 milionë euro kredi dhe pjesa tjetër grante. Prej 14 dhjetorit 2021 punimet kanë stopuar, pasi kompania Integrated Technology Services është nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar