Në mbledhjen e sotme të këshillit të ministrave është marrë vendimi për mbylljen e kolegjit universitar “Pavarësia”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Vlorës.

Me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave ndërsa vendosi mbylljen e kolegjit universitar “Pavarësia”, cakton ndaj tij disa detyrime.

"a) Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë,  që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

b) Të kthejë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;

c) Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë kërkimore-shkencore në të gjitha ciklet e studimit ku ushtron veprimtarinë dhe për të gjitha programet e studimit të ofruara;

ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e saj akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;

dh) Të marrë masa që të heqë nga objekti i veprimtarisë së personit juridik në institucionin përgjegjës për ofrimin e shërbimeve të regjistrimit dhe licencimit të biznesit fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor."

Vula e kolegjit universitar “Pavarësia” të asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar “Pavarësia”, në zbatim të këtij vendimi, të përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik privat që e përfaqëson, thuhet në vendimin e qeverisë.