Vendimi i 2009-tës, Gjykata:
Referendumi kushtetues me 3/5

Vendimi i 2009-tës, Gjykata: <br />Referendumi kushtetues me 3/5
TIRANE- Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i publikuar korrikun e vitit 2009, pritet të ndezë edhe më tej debatin politik mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon kërkesës për mbajtjen e një referendumi kushtetues për nismën mbi kufizimin e imunitetit.

Në pamundësi për të garantuar votimin me 3/5 në Kuvend, shumica qeverisëse i është referuar nenit 150 të Kushtetutës duke paralajmëruar nisjen e procedurave për thirrjen e referendumit. Në krahun tjetër, minoranca parlamentare këmbëngul se një referendum kushtetues në rastin konkret mund të thërritet vetëm duke ndjekur përcaktimet e nenit 177 të Kushtetutës që parashikon shumicë të cilësuar edhe për kalimin në referendum. Eksponentët e Partisë Demokratike pretendojnë se të drejtën për thirrje referendumi e kanë së paku 1/5 e deputetëve ose Këshilli i Ministrave.

Lëvizja Socialiste për Integrim ishte ajo e cila në vitin 2009 kërkoi thirrjen e një referendumi popullor për të rrëzuar ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 dhe Gjykata Kushtetuese përmes vendimit Nr.25 interpretoi këto dy nene të debatueshme të ligjit themeltar.

Gjykata, për të vlerësuar interesin e kërkuesit në këtë kontroll kushtetues çmon se duhet t’i japë përgjigje pyetjes nëse neni 150 zbatohet ndaj ligjeve për rishikimin e Kushtetutës, me fjalë të tjera, nëse pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e popullit në rishikimin e Kushtetutës kufizohet në mundësitë e parashikuara nga dispozitat e veçanta të nenit 177 të Kushtetutës, apo kjo pjesëmarrje e drejtpërdrejtë mund të organizohet gjithashtu sipas parashikimeve të përgjithshme të nenit 150. Gjykata konstaton se Neni 177 nuk parashikon të drejtën për të thirrur një referendum për shfuqizimin e një ndryshimi të Kushtetutës nga 50 mijë shtetas me të drejtë vote. Kjo do të thotë që, përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutë-bërës mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend.

Gjykata arrin në përfundimin se Kushtetuta e Shqipërisë lejon thirrjen e një referendumi për amendamentet kushtetuese vetëm brenda kufijve të parashikuar nga neni 177. E drejta e 50 mijë shtetasve me të drejtë vote për të kërkuar shfuqizimin e një ligji, sipas nenit 150, nuk shtrihet në ligjet për rishikimin e Kushtetutës.

Ky vendim nënkupton se mazhoranca në përpjekjen e saj për thirrjen e referendumit duhet ti referohet vetëm nenit 177 që thotë se "Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum".
(dm/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

U arrestua sot nga RENEA, Report Tv siguron foton e Astrit Avdylajt

U arrestua sot nga RENEA, Report Tv siguron foton e Astrit Avdylajt