TIRANE - Aleanca Kuq e zi ka akuzuar ditën e sotme Kryemistrin Sali Berisha pasi duke mbështetur vendimin e FIFA-s i cili lejon kombëtaren kosovare të luajë ndeshje miqësore me kombetaret e tjera të futbollit, po shkërrmoq parimin “një komb një kombëtare”.

Sipas Pandi Toles, kreu i degës së AK-së në Fier dhe ish-futbollist i kombëtares, pasojat e këtij vendimi do të bien mbi kombëtaren shqiptare, së cilës i largohen disa nga lojtarët më cilësore.

“Pak ditë më parë Federata Botërore e Futbollit, FIFA mori vendimin që kombëtarja e Kosovës të lejohet të luajë ndeshje miqësore me kombëtaret e vendeve të tjera, një akt ky i përshëndëtur me shumë emocione nga Sali Berisha i cili pati deklaruar se mezi pret të shohi përballjen e parë të kombëtares së Kosovës sëbashku më shumë tifoza kuqezi. Parimi "një komb, një kombëtare" është shkërmoqur nga zelli Berishian për ta ndarë përfaqësuesen tonë të futbollit dhe largimin e futbollistëve më të spikatur nga fanella kuqezi. Si mundet që shtetasi Sali Berisha në të njëjtën kohë që kërkon të unifikojë pasaportat e kombit shqiptarë për bashkëkombasit dhe nga ana tjetër përshëndët një vendim të FIFA-s, pasoja e të cilit do të ndihet menjëherë tek kombëtarja aktuale e Shqipërisë, pasi shumë lojtarë janë shqiptarë nga Kosova të cilët kanë deklaruar se me krijimin e kombëtares së Kosovës do të largohen drejt saj”, u shpreh Pandi Tole.

Ndër të tjera Tole u shpreh se Aleanca Kuq e zi ka kërkuar nga federatat e dy vendeve unifikimin e kampionatit kombëtar të futbollit.

“Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar muaj më parë nga të dyja federatat shqiptarë të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë unifikimin e kampionateve të futbollit ndërsa shtetasi Berisha përshëndet ndarjen zyrtare të spektrit të sportit dhe kulturës me dy Shqipërive. Sigurisht Berisha kërkon të jetë i pari në fshatin e tij dhe po rrënon fushat e futbollit në pallate, ligën e futbollit në vatër bastesh e korrupsioni, si dhe ndarjen e kombëtares kuqezi në ndasi mes dy shteteve shqiptare”, deklaroi Tole.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)