Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar pas raportit të publikuar nga Komiteti Shqiptar të Helsinkit, që e rradhiti çështjen e kthimit të shqiptarëve të Çamërisë në kufirin grek si një ndër problemet kryesore të të drejtave të njeriut për vitin 2011.

“PDIU vlerëson thirrjen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për një zgjidhje të këtij problemi nga ana e shtetit shqiptar. Institucionet shtetërore shqiptare kanë detyrim dhe përgjegjësi kushtetuese për respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të shtetasve të tij. PDIU është e bindur se denoncimet tona të herëpashershme zyrtare dhe publike, si edhe kontaktet tona të drejtpërdrejta me autoritetet shqiptare dhe evropiane kanë dhënë efektet e tyre të para, nëpërmjet demarsheve përkatëse pranë qeverisë greke,” u shpreh sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i PDIU, Ardit Bido.