Vendimi i qeverisë/Zyrtarët që mund të flasin pa limit në celular dhe ato që kanë një limit të caktuar

Vendimi i qeverisë/Zyrtarët që mund të flasin pa limit në celular dhe ato që kanë një limit të caktuar

Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme një vendim që lidhet me koston e bisedave telefonike të krerëve të shtetit dhe institucioneve.

Sipas vendimit të vetmit që mund të kryejnë biseda pa limit në telefonata, pa paguar janë Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Këto telefonata janë pa limit si në shërbim brenda vendit ashtu edhe jashtë ose shërbimi roaming.

Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe Drejtues i SPAK/BKH i kanë të kufizuara telefonatat deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj.

Deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për shpenzime me telefonatat janë zyrtarët si Avokati i Popullit, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe Zëvendëskryetari i Kuvendit.

 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Anëtarë të Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese, Komisionerë dhe gjyqtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë një limit shpenzimi me telefonata deri në 10 000 lekë/muaj

Vendimi i plotë i botuar në Fletoren Zyrtare:

VENDIM

Nr. 673, datë 2.9.2020

PËR PAJISJEN ME NUMËR TELEFONI CELULAR TË FUNKSIONARËVE PUBLIKË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Punonjësve të administratës publike, bazuar në funksionet që kryejnë, u ofrohet shërbimi i telefonisë celulare, sipas specifikimeve të këtij vendimi. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës. Nga ky kufizim përjashtohen institucionet e pavarura me një numër jo më shumë se 100 punonjës.

2. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare dhe pa asnjë kufizim në mbulimin e shpenzimeve nga buxheti i institucionit funksionarëve, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar sipas lidhjes nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 20 000 (njëzetmijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar sipas lidhjes nr. 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

5. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe më dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar sipas lidhjes nr. 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

6. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe më dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 7 000 (shtatë mijë) lekë në muaj, për funksionin “zëvendësministër”

7. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe me dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 4 000 (katër mijë) lekë në muaj, funksionarëve të përcaktuar sipas lidhjes nr. 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

8. Ky shërbim mund t’u ofrohet edhe më dalje ndërkombëtare, por jo më shumë se 2 000 (dy mijë) lekë në muaj, funksionit “drejtor drejtorie në ministri” (niveli II – b), si dhe çdo funksionari të barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion, por që kryen funksione drejtuese. Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar/zëdhënës shtypi në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli, si dhe këshilltari ligjor dhe ekonomik në  institucionet e rivlerësim it kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në institucionet e sistemit të drejtësisë. Për efekt të këtij vendimi, me termin “pagë” kuptohet paga e pozicionit për funksion, pa përfshirë shtesat mbi pagë për vjetërsi në punë apo shtesa të tjera mbi pagë, sipas legjislacionit përkatës.

9. Shërbimi i telefonisë Roaming u ofrohet pa pagesë për të gjitha telefonatat zyrtare të kryera nga jashtë vendit, për funksionin: zëdhënës shtypi i Presidentit, i kryetarit të Kuvendit dhe i Kryeministrit.

10. Drejtuesit e njësive të vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe brenda fondeve të parashikuara në buxhetin vjetor, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës.

11. Drejtuesit e njësive të fondeve speciale, njësive të qeverisjes qendrore publike, kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe brenda fondeve të parashikuara në buxhetin vjetor, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor, të jenë në çdo rast jo më shumë se 2% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime, të miratuara për çdo institucion në buxhetin vjetor përkatës.

12. Drejtuesit e shoqërisë tregtare, me kapital 100% shtetëror, kanë të drejtë të urdhërojnë pajisjen me numër telefoni celular të personave zyrtarë, bazuar në detyrën që kryejnë dhe në varësi të  mundësive  financiare  që  kanë,  të  miratuar  nga organet përkatëse, sipas specifikimeve të mësipërme. Shpenzimet për këtë shërbim, në nivel vjetor,  të  jenë  në  çdo  rast  jo  më  shumë  se  2%  e totalit  të  shpenzimeve  administrative,  të  miratuara në planin financiar përkatës.

13.  Për  ofrimin  e  shërbimit,  për  funksionarët  e përcaktuar  në  pikat  2,  3  dhe  4,  të  këtij  vendimi, njësitë e qeverisjes së përgjithshme lidhin kontratat për  këtë  shërbim  me  cilindo  prej  operatorëve  të shërbimit  telefonik  të  lëvizshëm,  që  veprojnë  në vend, sipas legjislacionit në fuqi. Në  çdo  rast,  shërbimi  i  ofruar  paguhet  nga njësia  e  qeverisjes  së  përgjithshme,  sipas  faturës mujore për vlerën e shpenzuar.

14.  Për  përfitimin  e  shërbimit  funksionarët  e përcaktuar  në  pikat  5–12  të  këtij  vendimi,  lidhet kontratë individuale me cilindo prej operatorëve të shërbimit  telefonik  të  lëvizshëm  që  veprojnë  në vend,  për  një  numër  të  vetëm  celular.  Detyrimi financiar paguhet  nga funksionari  i  cili kompensohet nga institucioni, kundrejt dokumentit të  blerjes  së  shërbimit  të  numrit  telefonik  celular, por jo më shumë se kufijtë përkatës mujorë.

15. Çdo tejkalim i  limitit  mujor  të përcaktuar  si më  sipër  nuk  kompensohet  me limitin  e  muajit pasardhës.

16.  Vendimi  nr.  864,  datë  23.7.2010,  i  Këshillit të  Ministrave,  “Për  pajisjen  me  numër  telefoni celular të personave juridikë, publikë”, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

EMËRTESAT E FUNKSIONARËVE SIPAS LIDHJEVE TË PËRKATËSE

Lidhja nr. 1-pa limit

Presidenti i Republikës

Kryetari i Kuvendit

Kryeministri

Kryetari i Gjykatës së Kushtetuese

Lidhja nr. 2-40 000 lekë/muaj

Kryetar i Gjykatës së Lartë

Prokuror i Përgjithshëm

Drejtues i SPAK/Byro Hetim

Lidhja nr. 3-20 000 lekë/muaj

Avokati i Popullit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Zëvendëskryetar i Kuvendit/

zëvendës/kryeministër

Ministri

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor

Titullar i institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Kryetar i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë

Lidhja nr. 4-10 000 lekë/muaj

Sekretari i Përgjithshëm në institucionet Presidencë, Kuvend, Këshillin e Ministrave Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit si dhe çdo funksionar në nivel politik ose në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion. Në këtë kategori

përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” që kanë pagë të këtij niveli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve

Anëtarë të Gjykatës së Lartë/Gjykatës Kushtetuese

Komisionerë dhe gjyqtarë të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Lidhja nr. 5-4 000 lekë/muaj

Sekretari i Përgjithshëm në ministri

Magjistrat në strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në sistemin e akuzës dhe gjykatave. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme si dhe çdo funksionar në nivel drejtues i barazuar në pagë apo me pagë përkatëse më të madhe se ky funksion. Në këtë kategori përfituesish përfshihen edhe funksionet “këshilltar në kabinetin e titullarit” apo ”zëdhënës shtypi në kabinetin e titullarit”, që kanë pagë të këtij niveli.

Vendim i qeverise

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)