“Ditën e hënë, më datë 21 dhjetor 2015, ora 9.00 në Fakultetin e Mjekësisë zhvillohet Provimi i Certifikimit për Mjekët sipas Specialiteteve përkatëse Pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti si dhe me një fotokopje të saj. Të kenë faturën e pagesës prej 10 mijë për provimin e certifikimit dhe të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit”, - thuhet në një njoftim të Qendrës Kombëtare për Edukimin në Vazhdim.
Mjekët do testohen në fushat si: Obstetrike Gjinekologji, Dermatologji, Nefrologji, Psikiatri, Kirurgji e pergjithshme, Imazheri, Sëmundjet Infektive. Endokrinologji, Pneumologji, Ortopedi. Mjeku Familjes, Kardiologji, Pediatri, Mjekësi Urgjence, Anestezi Reanimacion dhe Hematologji. Në total janë 656 mjekë që do testohen, duke filluar nga mjekët e familjes, kirurg, kardiolog dhe deri tek mjekët e përgjithshëm.
Provimi
Provimi i certifikimit cilësohet i kryer me sukses nëse profesionisti ka marrë të paktën 50% të pikëve maksimale. Vlerësimi i pjesëmarrësve kryhet në mënyrë automatike nga sistemi kompjuterik në momentin e përfundimit të provimit. Rezultati përfundimtar i shfaqet pjesëmarrësit në monitor dhe printohet në mënyrë automatike nga sistemi së bashku me përgjigjet e dhëna. Çdo pjesëmarrës firmos fletën me rezultatet e provimit të printuar në përfundim të provimit përkatës.
Profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë provimin e certifikimit në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë. Nëse një profesionist nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Tërheqja nga provimi i certifikimit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit. Provimi i certifikimit zgjat 60 minuta dhe zhvillohet në një raund të vetëm.
Mjekët e rinj
Ndërkohë Urdhri i Mjekut ka publikuar listën e kandidatëve të cilët do të marrin pjesë në provimin e shtetit në muajin dhjetor. Këta kandidatë janë të ndarë nga mjekët që japin provimin e ricertifikimit. Janë 40 mjekë të rinj të cilët do japin provimin e shtetit në dhjetor, për të marrë licencën e cila u jep mundësi të ushtrojnë profesionin.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)