Vendimi/ Studimet në Universitet
ja si mund ta llogarisni mesataren

Vendimi/ Studimet në Universitet<br />ja si mund ta llogarisni mesataren
Qeveria ka vendosur mesataren 6-të për të gjithë ata që duan të vazhdojnë studimet universitare. Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin mesataren e pranimeve në Universitet, për të gjithë ata kandidatë që duan të vazhdojnë studimet në programet e ciklit  të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2016-2017.
 
“Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë)”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
 
Ja si mund të llogarisni mesataren
Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.
Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat tek njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore, dhe institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Trump u ndaloi gazetarëve të ndjekin momentin kur ai votoi

SHBA/ Trump u ndaloi gazetarëve të ndjekin momentin kur ai votoi