Venecia, Itali, 5 Tetor 2026 – Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Nismës Adriatiko-Joniane, të zhvilluar në Venecia të Italisë.
Bisedimi me ministrat e mbrojtjes të gjashtë vendeve bregdetare të Adriatikut dhe Jonit – Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia – kishin në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballë një mjedisi gjithnjë e më kompleks strategjik.
Gjatë takimit, Nufi theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj nisme si një mekanizëm praktik për rritjen e koordinimit, bashkëpunimit dhe kapaciteteve të përbashkëta në hapësirën Adriatiko-Joniane, duke iu përgjigjur në mënyrë më efektive sfidave të reja të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai u shpreh gjithashtu se “Shqipëria mbështet vijimin e diskutimit për Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), në kuadër të së cilës Evropa merr përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë komplementare me NATO-n dhe duke ruajtur të fortë lidhjen transatlantike.”
Ministri nënvizoi se “ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë.”
Në këtë drejtim, ministri u shpreh, “vendi ynë mbetet i gatshëm të kontribuojë aktivisht për t’i kthyer ambiciet e përbashkëta në bashkëpunim, kapacitete dhe rezultate konkrete për sigurinë evropiane e më gjerë.”
Nisma Adriatiko-Joniane është një mekanizëm rajonal bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë detare në hapësirën Adriatiko-Joniane.
ADRION fokusohet në rritjen e bashkëpunimit praktik, koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta ndërmjet vendeve pjesëmarrëse – Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia.







Komente
Komento