TIRANE- Në takimin me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë z. Evangelos Venizelos vuri në dukje se përmbushja e prioriteteve të BE-së nga ana e qeverisë shqiptare do të jetë një shtysë e rëndësishme për progresin e vendit. Po sot Venizelos është takuar edhe me Presidentin Bujar Nishani dhe kreun e PD-së Lulzim Basha. Paradite ai u takua me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Gjatë takimit me kreun e Kuvendit Ilir Meta, Venizelos nënvizoi se Greqia e konsideron avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë si kyç për të gjithë rajonin. 

Ata ndanë bindjen se roli i diplomacisë parlamentare ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për perspektivën evropiane të Shqipërisë, por përbën një urë solide komunikimi edhe në marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Shqipëria mbështetet tek Greqia dhe pesha e saj gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së për të avancuar me përmbushjen e prioriteteve të Komisionit Evropian”, theksoi Meta.

Nga ana e tij zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Venizelos, rikonfirmoi angazhimin maksimal të Greqisë gjatë Presidencës së radhës së Këshillit të BE-së, duke vënë në dukje se përshpejtimi i axhendës europiane të Shqipërisë do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë muajve të ardhshëm.

ORA 14:30 VENIZELOS-BASHES: ROLI I OPOZITËS, I RËNDËSISHËM PËR FUNKSIONIMIN E DEMOKRACISË
Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka takuar ministrin e jashtëm grek Venizelos, duke e informuar këtë të fundit për problematikat dhe aktet antiligjore sipas tij, që po kryen mazhoranca e sotshme. Në fjalën e tij ministri Venizelos theksoi se roli institucional i opozitës është i rëndësishëm në funksionimin e demokracisë ashtu sikundër dhe shteti ligjor dhe respektimi i parimeve të tij themelore. Sipas Venizelos praktikat europiane të konsensusit duhen praktikuar dhe aplikuar dhe në Shqipëri. Të dy zyrtarët ishin të një zëri përsa i përket angazhimit të mëtejshëm të palëve për të shtuar përpjekjet për arritjen e statusit në qershor.
 
ORA 12:30 VENIZELOS TAKON NISHANIN:STATUSI I SHQIPËRISË, NË AXHENDËN GREKE
Kryediplomati grek Venizelos, gjatë takimit të tij me presidentin Bujar Nishani, ka deklaruar se Shqipëria e meriton Statusin e vendit kandidat dhe se Greqia do të japë mbështetjen e saj maksimale për marrjen e statusit në qershor. Ndërsa nga ana e tij, Presidenti Nishani u shpreh për angazhimin e Shqipërisë për të përshpejtuar hapat drejt BE-së. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu marrëdhënien dypalëshe mes vendeve si dhe përmendi si një politikë të rëndësishme, ndërmarrjen e marrë nga presidenca greke dhe qeveria italiane për shpalljen e vitit 2014 si “Vitin e Mesdheut”.

Redaksia online 
(e.s/sg/shqiptarja.com)