DURRES- Bregdeti i Durrësit ka shumë gjasa që tu ofrojë pushuesve të shumtë një sezon turistik pa ujëra të zeza që hidhen në det nga hotelet e shumta përgjatë vijës bregdetare. Siç shihet edhe nga pamjet filmike dhe fotografitë e “Shqiptarja.com”, prej disa ditësh në vijën bregdetare janë vendosur mbi rërë dhe gati për tu shtrirë tubat e shkarkimit të ujërave të zeza që do t’i mbledhin ato nga ndërtimet e shumta për t’i çuar në kolektorin kryesor.

Sipas të dhënave të Agjencia Rajonale të Mjedisit në Qarkun e Durrësit, shtrimi i tubacioneve është pjesë e një investimi të Bankës Botërore në zonën bregdetare, që nis nga Përroi i Agait dhe Shkëmbi i Kavajës me vlerë rreth 7 milionë euro dhe për ndërtimin e kolektorit kryesor, që do të thotë, dërgimin e të gjitha ujërave të zeza në Impiantin kryesor, punime që priten të përfundojnë pas një viti.

Vendosja e tubacioneve është pjesë e zgjidhjes emergjente në zonën e Shkëmbit të Kavajës, me numër të lartë turistësh, por me ndotje të lartë, dhe më pas lidhja do të bëhet në plazhin Iliria me sistemin e vjetër të pompave. Durrësi është njëri prej plazheve më të ndotura të Shqipërisë, sepse përveç turistëve të shumtë, të gjitha ujërat e zeza prej dy dekadash janë derdhur direkt në det.