/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilluan sot takime të ndara me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O'Connell.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Veseli shkruan se "sot prita në takim z. Ruairi O'Connell, ambasador i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës. Ambasadori ka qenë prezent në Kosovë në momentet vendimtare në kohën e Shpalljes së pavarësisë dhe është i familjarizuar me kontekstin e zhvillimeve në vendin tonë. Ai shprehu kënaqësinë për detyrën që ka marrë dhe përkushtimin për të ndihmuar avancimin e proceseve zhvillimore në Kosovë".
"E njoha ambasadorin O'Connell me gjendjen aktuale në vend, sfidat, problemet dhe proceset në të cilat jemi duke punuar si shtet. Mbretëria e Bashkuar vazhdimisht ka qenë mbështetëse e madhe e Kosovës dhe Ambasadori më siguroi vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët", theksoi Veseli.
Ndërsa Thaçi shkruan se " ambasadorit O'Connell i urova mirëseardhjen në shtetin tonë. Në takim u pajtuam se vitet e ardhshme janë vite të mundësive për Kosovën dhe se bashkëpunimi i Kosovës me miqtë e saj ndërkombëtarë mbetet thelbësor për shfrytëzimin e këtyre mundësive për të vazhduar të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës. Mikut tim të vjetër, Ambasadorit O'Connell, i urova punë të mbarë dhe i shpreha kënaqësinë që do të bashkëpunojmë përsëri për të mirën e vendeve tona".