PRISHTINË, 19 Dhjetor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është zotuar se do të ketë intensifikim të marrëdhënieve me shqiptarët e Luginës, gjatë takimit me kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa.
Sipas KosovaPress, përmes një komunikate për media njoftohet se Kryeparlamentari ka theksuar rëndësinë e dialogut, normalizimin e raporteve shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërshtetërore, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ragmi Mustafa ka shprehur besim se, gjatë mandatit të Veselit do të ketë intensifikim të marrëdhënieve me shqiptarët e Luginës.
"Ishte qëndrim i përbashkët i takimit se duhet të respektohen të drejtat e njeriut, si dhe të integrohen pakicat në institucione, në mënyrë që komunitetet pakicë të jenë vendimmarrës në nivele të ndryshme, të kenë qasje të papenguar në edukim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, ruajtjen e identitetit nacional etj., gjithnjë me ligje dhe praktika që përafrojnë vendet e Ballkanit me Bashkimin Evropian", thuhet në komunikatë.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet në vend dhe rajon, për dialogun ndërshtetëror aktual, bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Kuvendit dhe komunave të Luginës së Preshevës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërshtetërore./m.m/












