/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi një takim me delegacionin parlamentar nga Shqipëria, i kryesuar nga Genc Pollo, që mbulon çështjet e Edukimit dhe ato të informimit publik në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Veseli theksoi se "në shumë raste vizita të tilla nuk e kanë vëmendjen e duhur të mediave, të cilat rëndom vrapojnë pas krerëve institucionalë, por në fakt puna e vërtetë bëhet në nivel të këtyre vizitave, të cilat adresojnë për zgjidhje çështjet konkrete. Është koha e fundit që raportet Kosovë-Shqipëri të lënë pas retorikën e përgjithshme të dashurisë vëllazërore dhe të zhvillohen si raporte të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit konkret në të gjitha fushat. Padyshim edukimi është një ndër prioritetet kryesore në këtë drejtim".
Delegacioni nga Shqipëria, nisi sot një vizitë dyditore në Kosovë. Më pas delegacioni do të ketë takim me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, me ministrin për Arsim të qeverisë së Kosovës, do të vizitojë institucione shkollore dhe shkencore të Kosovës, si dhe objekte të rëndësishme historike./k.s/