Intervista em Anila Konomin një nga stilistet më të mira në Shqipëri dhe këshilluesja e disa personaliteteve të politikës do të na rrëfejë sot gjithçka mbi performancën e deputetëve të këtj parlamenti “të ri”.
Ajo do të na zbulojë aksesorin më të shtrenjtë në dukje dhe përshtypjet që lanë politikanët tek populli i tyre. Behuni gati të zbuloni Fashionistat e Parlamentit.
Anila çfarë përshtypje i la seanca e djeshme parlamentare një stilisteje si ju?
Në fakt, i kushtova vëmendje të madhe seancës së djeshme. Ajo që më vjen menjëherë ndër mend të them është fakti se nuk pashë ndonjë tendencë të madhe për të luajtur me ngjyrat apo me copat. Kryesisht, ngjyrat e preferuara nga nga femrat ishin të qeta, ndërsa nga meshkujt mbizotëronte grija dhe e zeza, pqërpos kamishave dhe kollareve që e ndryshonin pak gjendjen. Prerjet ishin klasike, sidomos ato të femrave. Kryesisht, veshja e parlamentarëve ishte brenda masave korrekte dhe deri diku shfaqën seriozitet përkundrejt audiencës që i ndoqi.
Cili nga deputetët ishte veshur më bukur, më me shije, më ndryshe?
Thuajse secili prej tyre ishte veshur bukur. Politikanët meshkuj i kishin kushtuar rëndësi detajeve, gjë që në parlamentet e e tjera nuk ka pasur të njëjtën vëmendje. Më shumë përshtypje më ka bërë Edi Rama. Sepse ai ishte personi që kishte luajtur plot korrektësi me detajet më pëlqeu shumë forma e jakës së këmishës së tij, jakë të cilën nuk e pashë te asnjë deputet tjetër. Më pëlqyen edhe pustinat, që në gjuhë popullore mund ti quajmë dhe mansheta. Dua të citoj edhe Arben Ahmetaj. Ishte më i krisuri, ai që kërciste bukur, pra që kishte luajtur më tepër me imazhin. Për mua Ahmetaj është veshur gjithnjë mirë dhe këtë herë kombinimi i xhaketës dhe kollares më ka pëlqyer shumë.
Po nga femrat kë mund të përzgjedhim?
Unë si Anilë veçoj Mimi Kodhelin, e cila ishte shumë shik, si gjithnjë brenda natyrës së vet. Dhe unë i vlerësoj shumë ato që zgjedhin të shfaqen me një stil të vetën, pa dashur të zhveshin një apo një tjetër manikinë. Ka ikur ajo kohë. Çdo politikane duhet të kurojë imazhin e saj sipas shijeve dhe karakterit që ka dhe jo të shfaqet me produkte të shtrenjta të cilat shpesh i veshin manikinave. Mimi ishte, pra, brenda kornizës së saj, me një apel pantallona shik, tërësisht në stilin e saj. Dhe e veshur bukur, si gjithnjë pa dashur të tërheqë vëmendjen me ndonjë detaj që kërcet syri që ndjek seancën e parë në parlament.
Cilët ishin aksesorët më të shtrenjtë?
Çantat e deputeteve. Fatkeqësisht nuk pata mundësi të analizoja pjesën e këmbëve pra këpucëve, por mendoj se çantat e deputeteve, orat dhe manshetat e deputetëve ishin aksesorët më të shtrenjtë.
Pak më parë më thatë se kishte nga ata që e kishin ekzagjeruar me performancën e tyre, krahasuar me pozitën e elektoratit që përfaqësojnë. Saktësisht, mund të themi ndonjë emër?
Nuk do të doja ta thoja, por më duhet të them se aty nuk ishte vetëm Majlinda Bregu. Mendoj se një çantë si ajo e Majlindës është shumë e shtrenjtë për elektoratin të cilin ajo përfaqëson. Një çantë të tillë, dhe një të tillë nuk kishte vetëm ajo, por disa, mund të kushtojë minimalisht 6000 euro dhe mund të shkojë deri në 20 000 euro. Mua kjo realisht m’u duk ca e tepruar. Sigurisht, që nuk mund të them se ajo ishte veshur pa shije, por ama një aksesor kaq i shtrenjtë bie ndesh me realitetin. Deputetet duhet të jenë me këmbë në tokë, më afër me popullin dhe të japin shembuj pozitivë duke qenë më afër realitetit. Nga ana tjetër, më modestja, paraqitja më pak e frikshme dhe më afër me gjendjen e elektoratit të tyre ishte ajo e aktores Luiza Xhuvani.
Shkrimi është marrë nga Gazeta "Shekulli"