TIRANË - Personi që ka qëlluar me 4 plumba automatiku ndaj Fatmir Pulës (në foto) në 20 janar në Krujë, është vetëdorëzuar pas negociatave me policinë e Durrësit. 26-vjeçari Elton Ceka me banim në Tiranë akuzohet për vrasjen në bashkëpunim të 45-vjeçarit të cilin kishin qëllim ta grabisnin. E gjithë ngjarja ndodhi pasi Pula kish mbyllur biznesin e tij, një lokal në Kamëz, dhe kthehej për në shtëpinë e tij në fshatin Zezë të Krujës. Aty autorët, me lidhje fisnore me njëri-tjetrin, kanë organizuar pritën me detaje duke i bllokuar rrugën  me thasë me shkarpa. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ka qenë Elton Ceka i cili ka qëlluar ndaj Pulës duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë Admir Haka edhe pse i armatosur me pushkë, nuk ka qëlluar.
 
Më herët, policia kishte arrestuar 5 bashkëpunëtorët e tjerë në krim.

Admir Haka 32 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë për armëbajtje pa leje;
Herton Haka 18 vjeç, lindur në Zezë, Krujë;
Aleksander Haka 28 vjeç, banues në në fshatin Zezë, Krujë;
4Hekuran Boci 23 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë;
Olti Metuku (Agron), banues në Kamëz, Tiranë.

Rolet e bashkëpunëtorëve në krim
Olti Metuku e ka mbajtur nën vëshgim viktimën në momentin që ai ka dalë nga lokali dhe ka lajmëruar autorët e tjerë.

Herton Haka (vëllai i Admir Hakës), ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikel për në Zezë, dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina ku ndodhej viktima po vinte në drejtim të tyre.

Elton Ceka  i armatosur me automatik dhe Admir Haka me pushkë, i kanë bllokuar rrugën viktimës me thasë me shkarpa. Fatmir Pula ka gjetur vdekjen e menjëhershme pas goditjes me 4 plumba nga Elton Ceka.

Aleksandër Hakaj i ka furnizuar me fishekë autorët, i ka strehuar natën e krimit, dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe armët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

- një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62;
- një pushkë model 63;
- 4 copë fishekë luftarakë.
 
Lidhjet familjare të autorëve
Admir dhe Herton Haka janë vëllezër dhe njëkohësisht komshinj me viktimën. Aleksandër Haka është djali i tyre i xhaxhait.

Hekuran Boci dhe Olti Metuku janë kunetërit (burrat e motrave) të Admir dhe Herton Hakës

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)