ITALI - Ndeshja mes Udineses dhe Comos ka hyrë në histori, por për një arsye shqetësuese për futbollin italian. Statistikat e këtij takimi të Serie A nxjerrin në pah një realitet alarmant, mungesën e lojtarëve vendas në formacionet titullare.
Në 22 lojtarët që nisën ndeshjen nga minuta e parë, vetëm Nicolo Zaniolo ishte italian, duke vendosur një rekord negativ për këtë sezon në elitën e futbollit të vendit fqinj.
Edhe pas ndërhyrjeve nga stoli, situata ndryshoi shumë pak. Nga 34 lojtarët dhe trajnerët e përfshirë në ndeshje, vetëm dy ishin italianë, Zaniolo dhe mbrojtësi Bertola, i cili u aktivizua në minutat e fundit.
Për të gjetur një rast të ngjashëm në Serie A, duhet të kthehemi në 28 prill 2024, në sfidën Bologna - Udinese (1-1), ku vetëm Lorenzo Lucca ishte titullar italian.
Ky rekord negativ dhe zhvillimet e fundit me kombëtaren italiane janë një kambanë alarmi për kampionatin që vitet e fundit e ka humbur identitetin si një ndër më të fortët në botë.
Komente









