RROGOZHINË – Një i burgosur në burgun e Rrogozhinës i ka dhënë fund jetës, duke u varur në dritaren e banjës.
 
 Estref Halili, nga Kolonja e Lushnjës, 22 vjeç, u gjet i gjallë nga shokët e dhomës, të cilët i dhanë ndihmën e parë. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Rrogozhinës, por  vdiq 15 minuta pas mbërritjes atje.
 
Halili ishte transferuar nga burgu i Fierit në atë të Rrogozhinës në ditët e fundit të vitit të kaluar. Ai ishte ndaluar më 26 dhjetor, pasi në makinën e tij iu gjet nga policia një thikë dhe një dozë kanabis.
 
Për momentin, shkaqet e vendimit ekstrem janë ende të panjohura, ndërkohë që policia është duke bërë hetime në vendngjarje për zbardhjen e saj.

Komunikata e policisë për arrestimin e Halilit më 26 dhjetor:
Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin: -Estref Halili, 21 vjeç, banues në fshatin Kolonjë, Lushnje. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në fshatin Kolonjë, gjatë kontrollit të mjetit "Volksëagen" me targa AA 642 DA që ai drejtonte, i'u gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale një dozë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva dhe një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta".
d.i./Shqiptarja.com