Vetëvendosje mbledh 7500
firma për 'Mbrojtjen e Republikës'

Vetëvendosje mbledh 7500<br />firma për 'Mbrojtjen e Republikës'
PRISHTINE- Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se për dymbëdhjetë orë ka mbledhur mbi 7.500 nënshkrime të qytetarëve në kuadër të peticionit, i cili kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të mbajë debat parlamentar rreth marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë.

Peticioni zhvillohet në përputhje me nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 15 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes, numri i qytetarëve që kanë vënë firmën në mbrojtje të Republikës së Kosovës, po rritet shumë shpejt.

“Qytetarët me rastin e dhënies së nënshkrimit shprehen thellësisht të indinjuar dhe shfaqin papranueshmërinë e tyre për kompromiset e Qeverisë në dëm të interesit tonë të përgjithshëm”, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.

Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe sot në 28 qendra nëpër Kosovë. Ekipe të lëvizshme nëpër Kosovë do të përkujdesen që t’i mundësojnë sa më shumë qytetarëve nënshkrimin e peticionit.

Vetëvendosje njofton se krahas mbledhjes së nënshkrimeve, qytetarët informohen edhe për demonstratën gjithëpopullore, siç shprehet ata, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 12.00, në sheshin “Nënë Tereza” dhe para objektit të Qeverisë në Prishtinë.
sg/

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar