Durrës - Ambientet e komisariatit të Policisë së Durrësit janë kthyer në skenë krimi. Specialisti i Policisë Kriminale, Arben Pjeçi, 56 vjeç, me gradë nënkomisar, është gjetur i vetëvrarë rreth orës 16:15, (25 janar 2024) në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Drejtoria e Durrësit u vu në kërkim të Arben Pjeçit pasi familjarët denoncuan zhdukjen e tij dhe humbjen e kontakteve. Report TV mëson se nga kqyrja e kufomës, polici mund të ketë qëlluar veten rreth orës 11:00 ndërsa krismat nuk janë dëgjuar nga kolegët në zyrat ngjitur pasi sipas ekspertëve shkrepja ka qenë e puthitur në trup. Për 6 orë ka qëndruar i pajetë Arben Pjeçi në zyrën e tij brenda Drejtorisë Rajonale të Durrësit.

Sipas të dhënave zyrtare efektivi ka qëlluar veten me armën e shërbimit në gjendje të rënduar psikologjike pasi ishte njoftuar me vendimin për ta larguar përfundimisht nga radhët e policisë. Lirimi nga detyra ishte firmosur nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës së Durrësit që e dënoi efektivin 56 vjeçar me punë në komunitet për plagosje të lehtë pas një sherri me komshiun dy vjet më parë.

Babai i dy fëmijëve është vetëvrarë me një plumb në zemër, duke mos pranuar faktin se do largohej nga detyra pas 34 vitesh në radhët e policisë së shtetit. 56 vjeçari  një efektiv karriere me arsimin në shkollën e policisë të Ministrisë së Brendshme, dhe për vite në shërbim të kufirit ishte emëruar së fundmi në drejtorinë e Durrësit.

*Raportuan për Shqiptarja.com gazetarët Artur korriku dhe Aldo Mustafa

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:18
I dha fund jetës pas përjashtimit nga policia e shtetit, efektivi në Durrës kishte mundësi ta ankimonte vendimin brenda 10 ditësh

1706206934_arbenpjeci.jpg

Efektivi i Durrrësit Arben Pjeci që i dha fund jetës në komisariat është përjashtuar nga policia e shtetit me firmë të drejtorit të përgjithshëm të policisë Muhamet Rrumbullaku pas vendimit të formës së prerë nga Gjykata për plagosje të lehtë me dashje. Gazetari i Report tv Sokol Dema raporton se ai kishte mundësi ta ankimonte përjashtimin nga policia te Standradet Profesionale në DPPSH brenda 10 ditësh, por nuk e ka shfrytëzuar për ta bërë. 

Ora 19:03
Nuk u dëgjua krisma, oficeri i policisë së Durrësit qëlloi veten me armën e shërbimit në zemër, rreth 6 orë i vdekur në zyrë

 

Arben Pjeçi oficeri i policisë së Durrësit e ka qëlluar veten me armën e shërbimit në zemër në orën 11:00 të paradites. Duke qenë se krisma nuk është dëgjuar për shkak se e ka puthitur armën në gjoks dhe ka qëlluar veten, 56 vjeçari ka qëndruar rreth 6 orë në zyrë derisa kolegët e tij hapën derën e zyrës me forcë.

Ora 17:52
Nënkomisari që vrau veten u dënua nga Gjykata për një sherr me grushta me komshiun në 2022, shkak u bë tenda

Specialisti i Policisë Kriminale, Arben Pjeçi i vetëvrarë në ambientet e policisë së Durrësit është dënuar nga Gjykata për plagosje të lehtë me dashje lidhur me një sherr në vitin 2022 me komshiun e tij Kujtim Huqi, ish shofer në polici. Për shkak se Pjeçit i pikonte ballkoni në tendën e Huqit, të dy janë zënë me grushta e shkelma.

Denoncimin në polici e ka bërë komshiu i tij, por efektivi i ndjerë ka deklaruar se vetëm e ka shtyrë Huqin por nuk e ka goditur. Megjithatë Gjykata i ka konsideruar fajtorë të dy për plagosje të lehtë. Por dënimi me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, solli pezullimin e Pjeçi nga detyra dhe më pas vetëvrasjen e oficerit në kushtet e depresionit.

 

 

 

Ora 17:50
FOTO/ Ky është nënkomisari që u vetëvra në zyrën e tij brenda komisariatit të Durrësit, 34 vite në radhët e policisë së shtetit! Baba i dy fëmijëve

1706201296_arbenpjeci.jpg

Foto:Arben Pjeçi 

Ky është Arben Pjeçi Specialisti i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës, me gradë nënkomisar, që i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij me armë e shërbimit. Për një kohë të gjatë ai ka shërbyer si oficer kufiri por më pas ishte transferuar në sektorin e krimeve. Pas 34-vitesh në radhët e policisë së shtetit, efektivi i policisë nuk e ka përballuar mirë vendimin që sillte ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke u vetëvrarë. Ai ishte baba i dy fëmijëve.

Ora 17:45
Durrës/ I dha fund jetës në zyrën e tij, nënkomisari i dënuar me vendim të formës së prerë për plagosje! Prej ditësh në gjendje të rënduar psikologjike

1706201367_5e1797af442d8POLICIAEDURRESIT1770x470.jpeg

Specialist i Policisë Kriminale Arben Pjeçi me detyrë nënkomisar që i dha fund jetës ditë sotme në zyrën e tij ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal. Vendimi ishte konvertuar në 40 orë pune në komunitet. Prej ditësh ai ishte në gjendje të rënduar psikologjike për shkak se ky vendim sillte dhe pezullimin e tij nga detyra.

Ora 17:40
Polici u vetëvra me armën e shërbimit brenda në komisariat, Policia tregon arsyet

1706202561_Screenshot10.jpg

Foto: Arben Pjeçi dhe komisariati i policisë së Durrësit

Policia e Durrësit jep informacion lidhur me ngjarjen e rëndë ku oficeri I policisë Arben Pjeçi është gjetur i vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës

Njoftimi i policise se Durrresit

Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat.

Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit.

Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi.

Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.

Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal.

Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.

Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.

Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.