Vetingu, dorëhiqen 2 drejtorë
të lartë, Rama: Heqim cdo alibi
​Alket Hyseni Drejtori i parandalimit të parave të pista
Arben Seferi, drejtor i Sigurimit të Informacionit të Klasifikua

Vetingu, dorëhiqen 2 drejtorë<br />të lartë, Rama: Heqim cdo alibi<br />​Alket Hyseni Drejtori i parandalimit të parave të pista<br />Arben Seferi, drejtor i Sigurimit të Informacionit të Klasifikua
TIRANË-Për të hequr cdo alibi ndaj kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi sot janë dorëhequr dy drejtorë të lartë në sektorë me rëndësi në informacionin e klasifikuar dhe në ate të pastrimit të parave të pista.

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë veprim të Arben Seferit, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Alket Hysenit, Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit e Pastrimit të Parave të Pista.

Ora 14: 25 Rama: Faleminderit për 2 dorëheqjet. Vetingu nuk shmanget

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë veprim të dy drejtoreve duke shpërndarë mesazhin se Vetingu nuk shmanget.

"Faleminderit 2 drejtuesve që u dorëhoqën për t'u hequr çdo alibi kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi! Reforma nuk ndalet Vetingu nuk shmanget".

Ora 14:10 Pas Alket Hysenit, jep dorëheqjen edhe Arben Seferi
arben seferi
Arben Seferi, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ka dhënë dorëheqjen.
 
Ai ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.
 
Dorëheqja e tij vjen për shkak të Vetingut.
 
Letra e Seferit drejtuar kryeministrit Rama 
Edhe pse kam patur nderin që gjatë 3 viteve të fundit të drejtoj një institucion të një rëndësie të vecantë, vetëm pak ditë më parë kam filluar të etiketohem si një person me anësi politike.
Arsyeja është e qartë. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar do të ketë një rol të qartë në implementimin e suksesshëm të Reformës në Drejtësi. Pikërisht prandaj, ata i tremben kësaj reforme, kërkojnë të gjejnë justifikime nga më të ndryshmet për ta penguar atë me cdo kusht.
Pamvarësisht përpjekjeve të mia për të përgënjeshtruar këto akuza, jam i vetëdijshëm që në këtë moment vendimtar për të ardhmen e vendit, institucioni që unë drejtoj duhet të dëshmojë paanshmëri dhe transparencë maksimale. 

Për këtë arsye, përmes kësaj letre, Ju paraqes dorëheqjen time si titullar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me shpresën se pas zëvëndësimit tim, procesi i Vetingut në veçanti dhe Reforma në Drejtësi në përgjithësi do të ecin me hapin e shpejtë që shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë presim.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm lutem të pranoni dorëheqjen time të parevokueshme.
Me respekt Arben Seferi


Kjo është dorëheqja e dytë brenda ditës, pas asaj të drejtorit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni.

Ora 14:25 ​Dorëhiqet Drejtori i parandalimit të pastrimit të parave të pista
alket hyseni

Alket Hyseni, Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit e Pastrimit të Parave të Pista ka dhënë sot dorëheqjen.

Shqiptarja.com mëson sot mbi këtë vendim të Hysenit, i cili e ka marrë këtë detyrë më 28 Qershor të vitit 2016, duke zëvëndësuar Gent Gazhelin pasi ky i fundit mori detyrën si ambasador në Turqi.

Para kësaj detyre, Hyseni mbronte postin e garancive statusore në Partinë Socialiste.

Motivet e largimit, Hyseni i ka përmbledhur në një letër drejtuar Ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas Hysenit meqë emri i tij është sulmuar shpesh javët e fundit mund të prekë Drejtorinë që ai drejton e cila do të kryejë hetimin e gjyqtarëve e prokurorëve që do kalojë muajt e fundit në sitën e Vettingut.

Letra e plotë

Sic jeni në dijeni, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të luajë rolin e saj të ngarkuar nga ligji në hetimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të kalojnë në muajt në vazhdim në sitën e procesit të Vetingut.

Për shkak të këtij roli, emri im është sulmuar gjithmonë e më shpesh në javët e fundit, nga të gjithë ata që nuk kanë interes që reforma në drejtësi të gjejë zbatim të shpejtë dhe efikas.

Duke qenë i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shoqërisë shqiptare që ky proces të zhvillohet sa më shpejt, ndiej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eliminuar cdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga Vetingu.

Gjej rastin t’iu shpreh falënderimet e mia të sinqerta për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë ndaj ushtrimit të detyrës sime.

Me besimin në mirëkuptmin tuaj.

Me konsideratë të lartë
Alket Hyseni


Alket Hyseni u emërua në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) më 28 qershori i vitit 2016.
 
Në vitin 2014 ai mbuloi postin e Kryetarit të Task Forcës së Kryeministrit për Pronat e Paluajtshme Shtetërore, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në Janar 2016. HYSENI, mban titullin Doktor i Shkencave Juridike, dhënë nga Universiteti i Tiranës dhe Doktori i Shkencave Juridike "International Business Law" dhënë nga Leibniz University.
 
DPPPP është Njësia e Inteligjencës Financiare shqiptare e fuqizuar nga legjislacioni kundër pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit, për të mbledhur, menaxhuar dhe analizuar raportet e dorëzuara nga detyruesit për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
 
Kjo njësi u vendos në qendër të vëmendjes ditët e fundit për shkak të tërheqjes së shumës prej 7 milionë euro nga një bankë e nivelit të dytë në vitin 2009.
 
Shuma u tërhoq nga Nuel Kalaj, i akuzuar si një prej sekserëve kryesorë të aferës së privatizimit të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike në favor të CEZ.

faksimile
faksimile

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS