Ndreu: Pse Garda duhet të kalojë në Vetting? A mendoni se është politika stërmullare e gjithë problematikës që ka shfaqur policia në vite? Cili ka qenë shkaku? Unë jam pro Vetting-ut, por sa garanci kemi që ky Vetting do shkojë në vendin e duhur? Supozohet që nga policia do ikin të gjithë ata që janë të korruptuar, kanë probleme me pasurinë, me figurën.
Në përgjigjen e tij, ministri sqaroi faktin pse Garda e Republikës është bërë pjesë e procesit të Vetting-ut, duke theksuar se ajo ka një rol të rëndësishëm në sigurinë kombëtare, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit. Por, nuk përjashtoi edhe mundësinë që edhe te Garda të ketë punonjës të përfshirë në korrupsion, ashtu siç nuk përjashtoi as mundësinë e ndikimit politik.
Xhafaj: Jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve që u trajtuan. Procesi u ndërtua mbi një shqetësim konkret, mbi faktin se në struktura apo në momente të caktuar në individë të caktuar janë konstatuar dukuri që lidhen me mungesën e integritetit, korrupsionit dhe paaftësisë. Këto ishin tre elementet zotërues, që dolën në përfundim të një analize të thellë. Është e vështirë të ndash me thikë nëse ekziston njëra apo tjetra, janë të trija.
Garda duhet të jetë pjesë e këtij procesi, për shkak të rëndësisë që ka në sigurinë kombëtare të vendit, por edhe për shkak se një pjesë e mirë përpunon informacion të kualifikuar, por edhe se edhe brenda strukturave të Gardës ka elementë që kërkojnë të kenë më shumë vëmendje lidhur me performancën e tyre sa i përket integritetit. Kjo edhe për përballjen që kemi me krimin e organizuar dhe terrorizmin, ku Garda ka rol specifik dhe të rëndësishëm
Politika? Ndikon në të gjitha fijet e vendit dhe s’ka si të jetë ndryshme. Në raport mes politikës dhe strukturave policore ligji i ka përcaktuar gjërat qartë, ku policia ka më shumë pavarësi, por nuk përjashtohet fakti që në momente të caktuara padyshim që politika ka tentuar dhe do ndikojë të ushtrojë pjesën e vet të ndikimit. Duke pasur njerëz me integritet të fortë do japim një përgjigje shumë të mirë të raportit mes politikës dhe punonjësve.
d.c./shqiptarja.com












