Vettingu i politikanëve, Bardhi: SPAK është fshehur, bën sikur nuk i sheh pasuritë e paligjshme të tyre

Vettingu i politikanëve, Bardhi: SPAK është fshehur, bën sikur nuk i sheh pasuritë e paligjshme të tyre

Gazment Bardhi

TIRANË- Sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, vettingun e politikanëve duhet ta bëjnë institucionet e pavarura. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Bardhi shkruan se deri më sot SPAK-u është fshehur duke u hequr sikur nuk e sheh pasurimin e paligjshëm të politikanëve dhe lidhjen e tyre me botën e krimit.

Sipas Bardhit, SPAK fshihet pasi nuk e ka një mekanizëm që ta detyrojë që t’i kontrollojë të gjithë. Por me propozimin e Partisë Demokratike, Bardhi shkruan se Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do i jepet një mekanizëm i detyruar kontrolli.

“Llumi i tranzicionit, me Edi Ramën në krye, është shqetësuar shumë nga vettingu i politikanëve, i propozuar nga Partia Demokratike. Vettingun e politikanëve nuk mund të bëjë politika. Vettingun e politikanëve duhet ta bëjnë institucionet e pavarura.

SPAK është organ kushtetues, me mision dhe përgjegjësi kushtetutese, për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Ky mision i është besuar me konsensus, me 140 vota në Parlament. Pra, të drejtën për të kontrolluar politikanë e ka edhe sot, por thjesht fshihet dhe nuk vepron, për shkak se nuk ka një mekanizëm që ia bën të detyrueshëm kontrollin për të gjithë, pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim.

Deri më sot, SPAK është fshehur duke bërë sikur nuk sheh e dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë shumica dërrmuese e qytetarëve të ndershëm shqiptarë: pasurimin e paligjshëm të politikanëve në kurriz të interesit të qytetarëve dhe lidhjen e politikanëve me krimin e organizuar. Nëpërmjet propozimit të PD, SPAK-ut i hiqet çdo mundësi të bëjë sikur nuk sheh dhe dëgjon atë që shohin dhe dëgjojnë qytetarët. Duke i dhënë një mekanizëm të detyrueshëm kontrolli, që mund të shërbejë më pas edhe si një e dhënë për ndëshkimin penal të atyre që zbulohet se kanë kryer një vepër penale gjatë ushtrimit të funksionit publik, SPAK ka detyrimin ligjor që të veprojë ndaj kujtdo.

Të gjitha alibitë që përdoren sot për të kundërshtuar propozimin e PD janë përdorur këto 30 vite sa herë që propozohet një iniciativë për të luftuar korrupsionin, sa herë ndërmerret një reformë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Alibitë përdoren  vetëm për të siguruar një gjë: çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në radhët e zyrtarëve të lartë edhe për 30 vite të tjera. Kjo nuk është në përputhje me interesin e qytetarëve dhe pritshmërinë e tyre”, shkruan Bardhi

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend, tre amendamentet që synojnë ndryshimet në kushtetutë që përfshijnë një reformë të re zgjedhore dhe territoriale, si edhe vettingun e politikanëve. PD e nis fillimisht me propozimin për ndryshim të pikës 3 të nenit 45 që në thelb e vë theksin te vettingu i politikanëve.

PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës