Vettingu, PD dyshime për listën
e zezë të ONM: Na informoni

Vettingu, PD dyshime për listën<br />e zezë të ONM: Na informoni
Partia Demokratike ka shprehur dje dyshime mbi argumentet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka përfshirë në listën e zezë 87 kandidatë nga 193 apliknatë për të shërbyer në institucionet e Vetingut, të cilat do të kalojnë në skanerin e trefishtë 800 gjyqtarët për prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.

Për rrjedhojë, përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, i ka kërkuar komisionit që t’i kërkojë ONM dhe Avokatit të Popullit një informacion shterues se pse një grup kandidatësh një herë bënin dhe një herë nuk bënin për t’u bërë pjesë e organeve të Vetingut. “Kërkoni informacion si sekretariat Avokatit të Popullit dhe ONM për motivet e skualifikimit, në mënyrë që ne të jemi në gjendje të bëjmë vlerësimin tonë kur të ngremë dorën me 4 apo 5 vota.

Nëse ky komision do të vendosë në kushtet e mungesës së informacionit, ku thuhet përvojë e pamjaftueshme, apo mungesë e konsiderueshme dokumentesh, ky është një informacion i pamjaftueshëm. Për mua si deputet është një informacion i pamjaftueshëm dhe jemi në kushtet kur nuk votojmë dot. Para se ky komision të marrë vendim, ne duhet të jemi në gjendje që ta bëjmë këtë vlerësim duke marrë informacion, duke ditur se pse një grup kandidatësh një herë nuk bënin dhe herën e dytë bënin”,
tha Bylykbashi.

Ndërkaq, kundër kërkesës së Bylykbashit është shprehur deputetja socialiste, Vasilika Hysi, anëtare e komisionit. “Në dosje ka informacion të detajuar. Për shembull, kur ONM ka thënë përvojë e pamjaftueshme, është në dosje, është sepse nuk plotëson përvojën 15 si jurist. E nxjerrim ne nga studimi i dosjes. Ky është roli ynë. Më fal, detyra jonë është të bëjmë verifikimin e dosjeve. Kur thuhet përvojë e pamjaftueshme nga ONM për një kandidat, po ashtu ishte, se nuk kishte punuar jurist, por kishte punuar inxhinier. Kjo është shënimi jonë. Ju thoni që t’i kërkojmë Avokatit të Popullit dokumente. Nuk ka çfarë sjell. I ka sjellë të gjitha në dosje”, u shpreh Hysi.

Ulsi Manja
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, hodhi poshtë kërkesën e deputeti Bylykbashi, teksa i kujtoi se detyrat dhe kompetencat e Avokatit të Popullit dhe ONM janë përcaktuar në Kushtetutë.

Nuk duhen ngatërruar kompetencat e këtij komisioni me kompetencat e institucioneve të tjera, aktorë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Detyrat e dhe kompetencat e Avokatit të Popullit në këtë proces i ka përcaktuar Kushtetuta dhe ligji i Vetingut. Po ashtu, detyrat dhe kompetencat e ONM i ka përcaktuar Kushtetuta dhe ligji i Vetingut. Ky komision është për vlerësimin e kandidatëve. Dosja e secili kandidat është dorëzuar dhe ju i keni që të gjitha mbi tavolinë. Vlerësimi i këtij komisioni do të bazohet mbi dokumentacionin e ardhur dhe mbi seancat dëgjimore që do të zhvillohen”, u shpreh Manja.
 
Seancat dëgjimore
Komisioni parlamentar për konstituimin e organeve të Vetingut do të mblidhet sërish në datat 29 dhe 30 maj, për të vijuar me seancat dëgjimore me kandidatët. Për shkak të numrit të madh të aplikantëve seancat pritet të jenë maratonë. Ndërkaq, nisur nga dinamika e zhvillimeve të djeshme, nuk përjashtohet as mundësia e përplasjeve mes palëve në komision.
 
Debatet në komision
 
-Vasilika Hysi: Të nderuar kolegë të mos harrojmë se ne kemi edhe një rregullore. Në këtë rregullore, thuhet se komisionin ad hoc, pas zhvillimit të seancave me kandidatët, me propozim të një anëtari të tij, mund të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota. Më pas ne do të kalojmë tek lista e dytë, që është lista që ONM i ka rekomanduar negativisht. Dhe nëse ne, me pesë vota, themi që kandidati A duhet të kalojë dhe nëse e kërkon njëri nga ne, atëherë ne e votojmë. Intervista do të bëjnë dy komisionet e tjera, si komisioni për zgjedhjen e komisionarëve publikë si komisioni për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit të kualifikimit. Unë kam filluar studimin e dosjeve. Informacioni që ka sjellë Avokati i Popullit përmban brenda komunikimin zyrtar midis një kandidati që nuk ka plotësuar kriteret formale dhe që ONM kishte kërkuar që të plotësonte kriteret, duke renditur dhe duke thënë se në dosjen tuaj mungon dëshmia e penalitetit, mungon vërtetimi i punës etj. Pastaj i thotë në një ditë të caktuar sill dokumentet. Dhe i ka marrë secilit dokumentet me procesverbal.
 
-Oerd Bylykbashi: Në bazë të ligjit ne kemi për detyrë që të çojmë në komisionin e mëtejshëm listën që përmban kandidatët që plotësojnë kriteret formale. Duke qenë një komision që bën verifikimin e kandidatëve, ne duhet të sigurohemi që kandidatët të shkojnë të gjithë të saktë. Për këtë na duhet na duhet që të marrim masa, që të marrin të gjithë informacionin, duke prezumuar që të tjerët kanë bërë punën e tyre, ne bëjmë punën tonë. Kërkoni informacion si sekretariat Avokatit të Popullit dhe ONM për motivet e skualifikimit, në mënyrë që ne të jemi në gjendje të bëjmë vlerësimin tonë kur të ngremë dorën me 4 apo 5 vota. Nëse ky komision do të vendosë në kushtet e mungesës së informacionit, ku thuhet përvojë e pamjaftueshme, apo mungesë e konsiderueshme dokumentesh, ky është një informacion i pamjaftueshëm, për mua si deputet është një informacion i pamjaftueshëm dhe jemi në kushtet kur nuk votojmë dot. Para se ky komision të marrë vendim, ne duhet të jemi në gjendje që ta bëjmë këtë vlerësim duke marrë informacion, duke ditur se pse një grup kandidatësh një herë nuk bënin dhe herën e dytë bënin.
 
-Vasilika Hysi: Unë jam dakord që në njoftimin individual që do t’i bëhet çdo kandidati për intervistë, që nuk plotëson kriteret formale apo që ka rekomandonim negativ nga ONM, t’i thuhet vetëm atij arsyeja se pse është skualifikuar. Por, në dosje ka informacion të detajuar. Për shembull, kur ONM ka thënë përvojë e pamjaftueshme, është në dosje, është sepse nuk plotëson përvojën 15 si jurist. E nxjerrim ne nga studimi i dosjes. Ky është roli ynë.
 
-Flamur Noka: Ne nuk jemi studiues. Po na trajton si studiues.
 
-Vasilika Hysi: Më fal, detyra jonë është të bëjmë verifikimin e dosjeve. Kur thuhet përvojë e pamjaftueshme nga ONM për një kandidat, po ashtu ishte, se nuk kishte punuar jurist, por kishte punuar inxhinier. Kjo është shënimi jonë. Ju thoni që t’i kërkojmë Avokatit të Popullit dokumente. Nuk ka çfarë sjell. I ka sjellë të gjitha në dosje. Ju lutem shikoni në dosje sepse i keni në dosje.
 
-Flamur Noka: Mund të jesh partiake e pasionuar, por këtu duhet të jesh profesioniste. Ule pasionin sepse po punojmë.
 
-Vasilika Hysi: Jam profesioniste. I ke me data në dosje. Ka munguar ky dokument, e ka sjellë në këtë datë.
 
-Flamur Noka: Në mbledhjen e parë në vendosëm që Avokatit të Popullit dhe ONM t’u darkojmë një shkresë zyrtare në emër të komisionit për të na plotësuar me dokumente të gjitha arsye që ishin në të thatë për skualifikimin e një numri kandidatësh për të qenë anëtarë. Gjeni një mënyrë më të shpejtë, të komunikoni me këto dy institucione, qoftë edhe me telefon, që të na mundësojë deri kur të zhvillojmë seancën dëgjimore, që të kemi këtë informacion. Çdo njëri nga ne sot është deputet. Kjo është një periudhë fushate. Ne jemi në fushatë. Ndaj unë propozoj që të gjitha seancat t’i zhvillojmë darkave, natën deri në mëngjes. Sepse unë ditën jam në fushatë, zonjë. Jam gati të rri nga darka deri në mëngjes këtu të bëj detyrën, por do të bëj edhe detyrën time atje pranë qytetarëve. Ndaj, të gjitha mbledhjet e këtij komisioni unë propozoj t’i bëjmë pas orës 20:00 të darkës. Por, nga mëngjesi deri në orën tetë të darkës, ne jemi në fushatë.
 
-Ulsi Manja: Nuk duhen ngatërruar kompetencat e këtij komisioni me kompetencat e institucioneve të tjera, aktorë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Detyrat e dhe kompetencat e Avokatit të Popullit në këtë proces i ka përcaktuar Kushtetuta dhe ligji i Vetingut. Po ashtu, detyrat dhe kompetencat e ONM i ka përcaktuar Kushtetuta dhe ligji i Vetingut. Ky komision është për vlerësimin e kandidatëve. Dosja e secili kandidat është dorëzuar dhe ju i keni që të gjitha mbi tavolinë. Vlerësimi i këtij komisioni do të bazohet mbi dokumentacionin e ardhur dhe mbi seancat dëgjimore që do të zhvillohen. Kemi 193 dosje për 193 kandidatë që kanë marrë pjesë në këtë garë. Dy nga kandidatë janë tërhequr nga gara. Pra, kemi 191 kandidatë të grupuara në dy lista. Lista A është lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale dhe që janë 84 kandidatë, ku 17 nga të cilët kanë marrë një rekomandim negativ nga ONM. Dhe lista B, me 109 kandidatë, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, ku 39 prej dyte kanë marrë një rekomandim pozitiv nga ONM, ndërsa 39 prej 70 prej tyre kanë marrë rekomandim negativ nga ONM. Ajo që unë propozoj lidhur me zhvillimin e seancave dëgjimore, është që kandidatët e listës B të njoftohen që të gjitha për seancë dëgjimore. Ndërsa tek lista A, siç e përcakton ligji, të njoftohen kandidatët që kanë marrë një rekomandim negativ nga ONM. Në proces e sipër të punës, këtu jemi, do të vendosim edhe për pjesën tjetër të kandidatëve që kanë marrë rekomandim pozitiv edhe nga Avokati i Popullit, pra që plotësojnë kriteret formale, por edhe rekomandim pozitiv nga ONM, të cilët që në këtë fazë janë pjesë e listës për votim. Pra, sigurisht që i përfshijmë të gjithë, por duke filluar me këtë radhë. Unë kam propozuar që seancat të zhvillohen në datat 29 dhe 30 në ora 10:00, që të kemi kohë që ta përmbyllim këtë proces.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik