Vezët në Kuvend, Byroja vendos
të përjashtohen 3 deputetë të PD
Basha:Përjashtim Ramës

Vezët në Kuvend, Byroja vendos<br />të përjashtohen 3 deputetë të PD<br />Basha:Përjashtim Ramës
TIRANE - Pas rreth 2 orë mbledhje në ambientet e kryesisë së Kuvendit, byroja e Parlamentit ka vendosur përjashtimin deri në 7 ditë të dy deputetëve demokratë Bedri Hoxha dhe Gent Strazimiri dhe me dy ditë Albina Dedën.
 
Me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Byroja u mblodh në mënyrë urgjente vetëm një ditë pas veprimeve dhe situatës së të enjtes në Kuvend ku këto deputetët qëlluan me vezë ndaj kryeministrit Rama dhe kabinetit qeveritar.
 
Në një prononcim për mediat ishte deputeti socialist Taulant Balla i cili bëri të ditur vendimin e Byrosë. Ndërkohë që nuk është pranuar nga Byroja e Kuvendit kërkesa e PD për përjashtimin me 10 ditë të kryeministrit Rama dhe deputetit socilalist Erjon Brace për fyerje të dy deputeteve demokrate, për shkak të mungesë së filmimeve audio.

"Vendimi në respektim të rregullores, kemi rast të paprecedentë se deputetët godasin me sende të palejuara. Në këto kushte Byroja veproi sipas rregullores, 7 ditë për Hoxhën dhe Strazimirin 2 për Dedën. Deda si kishte dëgjuar por më pas ja kishin thënë ose e ka dëgjuar nga Basha në një emision televiziv. Ka disa njerëz që s'dallojnë audion dhe videon. Për të qëne strikt ,deputetët kërkues të respektimit të kushtetutës kishin prezantuar momendtin e gjuajtjes me vezë me video. Kishte një provokim se thanë që i kishin rastësisht vezë me vete se i donin për shtepi. Deda tha se s'i kam dëgjuar fyerjet vetë por ngjova Bashën që tha se ka ofenduar Rama", - tha Balla.

Ndërkohë deputetja Deda dhe Edmond Spaho e kanë cilësuar si të padrejtë vendimin e mosdënimit deputetëve të mazhorancës dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e seancës së të enjtes në shenjë proteste.

"Ne kërkuam masë ndaj kryeministrit dhe ndaj kryetarit të Komisionit të Ekonomisë që me fjalorin e përdorur prej tyre u bë rrjedhojë për veprimet e disa deputetëve të opozitës. Për fat të keq, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, Byroja e Kuvendit dënoi viktimat dhe jo shkaktarët dhe agresorët. Në vend që të dënonte kryeministrin dhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë për fjalorin që përdorën, dënoi deputetët që reaguan në përgjigje të këtij fjalori thellësisht fyes për deputetet femra por edhe për deputetë të tjerë. Nuk habitemi me një veprim të tillë pasi ky Parlament e ka treguar tashmë fizionominë e tij mjaft të qartë, një Parlament i mbushur me persona të inkriminuar të cilët hyjnë e dalin sipas dëshirës sa herë që duan ata në Kuvend. Ndërsa ne i nxjerrim nga dritarja ata hyjnë e krekosen në Kuvend nga dera. Dy deputetët e opozitës u dënuan me 7 ditë përjashtim nga Kuvendi dhe deputetja Albina Deda me 2 ditë përjashtim. Kurse kryeministrit dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë iu rrahët krahët dhe u përgëzuan për fjalorin e përdorur në Kuvend."-tha Spaho

Deda në fjalën e saj ka pohuar se e ka qëlluar me letër të lagur kryeministrin Rama.

" U diskutua gjatë se si erdhi situata në atë pikë. Edhe për akuzat që u ngritën për tre deputetët e Partisë Demokratike, ku jam unë, zoti Strazimiri dhe zoti Hoxha. Kryesisht ne insistuam në kërkesën e Partisë Demokratike, për dënimin e Kryeministrit Rama dhe të deputetit Braçe, të cilët kanë fyer në vazhdimësi opozitën, të cilët kanë fyer në vazhdimësi deputetet femra.Jemi në një situatë paradoksale, në një Parlament, ku opozita proteston për të drejtën e saj legjitime dhe përballë kemi fyerje që vijnë nga goja e Kryeministrit në mbrojtje të kriminelëve dhe të korruptuarve që ndodhen në atë Parlament dhe që janë të mandatuar pikërisht dhe të futur e të kompozuar nga Rama vetë.
Ne diskutuam gjatë, prezente ishin edhe zonja Leskaj dhe zonja Hafizi. Kryesisht unë debatova me zonjat sepse ato ishin të dyja aty, zonja Leskaj drejtoi seancën atë ditë, ishte shumë arrogante, filloi menjëherë votimin dhe aty ishte përballja më e madhe që nisi mes deputeteve dhe unë kam goditur Ramën me atë shukun e letrës së lagur që ishte në foltore. E sqarova qartë këtë. Por zoti Balla tha që nuk i kemi pamjet filmike me zë, sepse duan të fshehin fyerjet që ka bërë Rama në drejtimin tim dhe reagimin pastaj të zotit Strazimiri dhe të zotit Hoxha, të cilët pastaj goditën Kryeministrin..
"-u shpreh Deda

Deda ka thënë gjithashtu se opozita do të përshkallëzojë protestën.

"Vendimi i Byrosë është që të dënohen deputetët e opozitës, por të mos preken Kryeministri. Është i paprekshëm Kryeministri. Pra, ai ka çdo të drejtë në këtë vend, të emërojë ministra të korruptuar, të marrë kriminelët, t’i fusë në Parlament, të na përballë në fushata me elementë të tillë. Është një situatë paradoksale. Opozita, nëse do të dënohen deputetët e PD, do ta përshkallëzojë më tej aksionin dhe unë deklaroj këtu para jush se sot është fundi i moralit dhe i ekzistencës së këtij Parlamenti, nëse do të dënohen deputetët e opozitës.

Ne do të qëndrojmë aty dhe do ta përshkallëzojmë aksionin tonë opozitar në Parlament. Përshkallëzimi është se ne do të bllokojmë seancat. Ato duhet që të tolerojnë, është një e drejtë e opozitës kjo, është e argumentuar qartë nga Partia Demokratike që ne kemi të drejtë parimore dhe teknikisht mund të realizohet kjo ndërhyrje që në Parlamentin shqiptar të mos ketë njerëz që janë të kapur në flagrancë, duke dhunuar qytetarët, të cilët i kanë votuar."
-tha Deda

Partia Demokratike  më herët ka kërkuar pezullimin nga Kuvendit me nga 10 ditë për kryeministrin Edi Rama dhe deputetin socialist Erion Braçe për ofendimet që sipas opozites bënë gjatë seancës së djeshme ndaj dy grave deputete të PD-së, Albina Deda dhe Arbiola Halim. 

Prononcimet e deputetëve demokratë,pas përfundimit të mbledhjes së Byrosë së Kuvendit

Cfare ndodhi të enjten ne Kuvend
Një ditë më parë seanca parlamentare u shoqërua me tensione të forta. Opozita bllokoi foltoren e Kuvendit pasi nuk u morën në konsideratë propozimet në kuadër të dekriminalizimit. Në kohën që drejtuesja e seancës Valentina Leskaj po mbyllte votime,  opozita u përplas me Gardën ndërsa deputetja Albina Deda goditi me një letër të lagur kryeministrin, kohë në të cilin thonë deputetët e PD - kryeministri është përgjigjur me gjuhë fyese. Më pas dy deputetë të tjerë të PD-së, Gent Strazimiri dhe Bedri Hoxha gjuajtën me vezë në drejtim të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit.

Opozita e ktheu në një protestë brenda kuvendit kauzën e saj për ndryshim në ligjin e dekriminalizimit, edhe pse ky i fundit është miratuar me konsensusin e palëve. Konkretisht demokratët kërkojnë përjashtimin nga funksionet publike në rastet e arrestimeve në flagrancë, siç është cështja e deputetit Armando Prenga. Me opozitën në këmbë, Kuvendi i mbylli shpejt punimet duke votuar vetëm me votat e mazhorancës dekretet e presidentit Nishani për emërimin e dy ministrave të rinj. Arben Ahmetaj tek Financat dhe Milva Ekonomi tek dikasteri i Ekonomisë.

Në moment të fundit, votimit ju bashkua edhe Armando Prenga, edhe pse një ditë më parë në një letër dërguar Metës thoshte se vetëpezullohej nga Kuvendi deri sa Gjykata të dilte me një vendim përfundimtar ndaj tij, nën akuzat e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Prenga shpëtoi në limitet e fundit kështu mandatin e deputetit i cili digjet pas 6 muajve. 

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza