2 persona janë në spital jashtë çdo rreziku, njëri prej të cilëve i mitur, pasi u rrëzuan nga monopatinaTiranë, në të cilën po lëviznin të dy. Në hetim në gjendje të lirë u mor i mituri, i cili ishte në drejtimin e mjetit elektrik. Ky incident në rrugë me pasoja minimale merr rëndësi të veçantë, pasi monopatina nuk duhej të ishte në qarkullim. Më 12 tetor, me urdhër të Ministrisë së Brendshme monopatinat u ndaluan përkohësisht dhe ende nuk lejohet të përdoren.

Në ditën e parë të zbatimit të vendimit, çdo monopatinë dhe motor elektrik që u pa në rrugë u sekuestrua nga policia. Në nisje të aksionit u bllokuan mbi 120 mjete të tilla, pasi shumë drejtues i përdorën edhe nga mungesa e informimit mbi vendimin e njoftuar një ditë të diel në një videomesazh nga Ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe kryepolici Ilir Proda.

10 ditë pas këtij urdhri, në një vëzhgim të Report Tv nëpër kryeqytet, në rrugë vijojnë të qarkullojnë monopatinat  

Të rinj, gra e burra, të pa shqetësuar vijojnë rrugëtimin e tyre në Tiranë. Tek-tuk syri të zë raste të 2 personave në një monopatinë, duke rritur kështu rrezikun për humbje ekuilibri dhe përplasje me mjete apo këmbësorë të tjerë, njëjtë siç ndodhi në incidentin me të miturin.

Objektivi i kamerës së Report Tv lehtësisht kapi edhe monopatinat e një kompanie private, e licencuar nga Bashkia e Tiranës.

“Të gjithë ata që e shohin këtë mjet si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet”, do të shprehej ministrja e Brendshme më 12 tetor. Por ky urdhër ka rënë në vesh të shurdhër, pasi këto monopatinat të cilat merren përmes një aplikacioni me pagesë janë aktive dhe vijojnë të qarkullojnë sërish në Tiranë përmes aplikacionit.  Burime pranë Policisë Rrugore thanë se blutë nuk mund t’i sekuestrojnë monopatinat private të parkuara, por vetëm kur i konstatojnë në rrugë.

Një grup i vogël i shoqërisë civile protestoi te Komisariati i Policisë Rrugore, 3 ditë pas urdhrit, më 15 tetor. Duke cituar zyrtarë të policisë, ata thanë se të monopatinat e sekuestruara mund të tërheqin pas 30 ditësh, duke vërtetuar pronësinë e tyre përmes faturave të blerjeve, që vështirë t’i ketë ruajtur njeri.

Urdhri i ndalimit do të pezullohet kur të caktohen rregullat e reja për përdoruesit. Por asgjë deri më tani nuk është bërë publike. E pritshme është të ketë kriter moshe, pasi monopatinat në Shqipëri po përdoreshin masivisht nga të miturit.