Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro do të deklaronte në seancën e 23 qershorit në parlament se punimet në Syrin e Kaltër kanë përfunduar, ndërsa sipas saj, është shmangur trafiku dhe problematika e parkingut.

"Syri i Kaltër kishte statusin monument natyre vetëm pjesa e burimit, sot e kemi park natyror me sipërfaqe 299 ha. Sapo është bërë një investim dhe nuk është më batërdia e makinave si dhe nuk përdoret më si pishinë për tu larë. Ju ftoj të vini edhe ta shijoni se është një ndër punët e mira që po bëjmë në zonat e mbrojtura", tha ajo.

Report Tv ju përgjigj ftesës së ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro për të vëzhguar 'Syrin e Kaltër'. Me qindra automjete janë të parkuara në shpat, ku qartësisht vihet re se punimet për parkimin publik ende nuk janë kryer.

Kalojmë traun dhe kundrejt pagesës prej 500 lekësh për person hyjmë në pedonale bashkë me turistët e shumtë vendas e të huaj. Rruga e dedikuar vetëm për këmbësorët dhe biçikleta, e gjatë 2 kilometra deri te burimi i Syrit të Kaltër të ofron një pamje të mrekullueshme, por tejet e lodhshme për të moshuarit. Ata kërkojnë vendosjen e një treni apo autobusi elektrik.

"Ne që vijmë nga andej pse duhet qe ecim në diell?!"

"Nëse do e dinim se s'ka transport nuk do ta bënim këtë rrugë".

"Shumë bukur, por puna e transportit nuk është mirë".

"Na nevojitet një tren elektrik për lëvizjen e njerëzve",  - thanë turistët.

Tualetet publike megjithëse kanë përfunduar, dyert e tyre qëndrojnë të mbyllura.

Ndryshe nga sa pretendon Kumbaro, turistët vijojnë të zhyten në ujë. Vizitorët nuk e respektojnë rregullat, ndërsa punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura nuk shihen në park, përveçse tek trau ku mbledhin paratë e biletave.

Ky investim i ka kushtuar buxhetit të shtetit 105.650.386 lekë. Punimet kanë nisur në korrik 2021 dhe duhet të përfundonin më 1 Maj 2022.