Koalicioni i vëzhguesve ka konstatuar se procesi i përgatitjes dhe publikimit të listave paraprake të zgjedhësve, më saktësisht, i ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, është cënuar nga mosrespektimi i afateve ligjore të parashikuara dhe moszbatimi i dispozitave ligjore të përcaktuara.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, KVV sqaron se deri me tre janar organet kompetente duhet të kishin publikuar listat paraprake të zgjedhjeve.
“Sipas dispozitave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor si dhe në udhëzimin nr. 374 datë 10.12.2012 të Ministrisë së Brendshme të gjitha njësitë vendore duhet që brenda datës 3 Janar 2013 të kishin përgatitur, printuar dhe publikuar në ambientet e Zyrave të Gjendjes Civile, ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun, ekstratin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve”, theksohet në njoftim.
Koalicioni ngre shqetësimin për ndjeshmërinë e pakët ndaj zbatimit me korrektësi të ligjit që vërehet në një pjesë të madhe të zyrtarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, madje disa prej tyre nuk janë në dijeni të detyrimit ligjor, apo kanë informacion të gabuar mbi dispozitat që përcaktojnë afatet apo mënyrat e publikimit të listave paraprake të zgjedhësve.
“Sipas informacioneve të marra kryesisht nga Njësitë Bashkiake në Tiranë, konstatohet se ka pasur probleme në lidhje me ndarjen e zgjedhësve me të njëjtin mbiemër apo nga e njëjta familje në qendra të ndryshme votimi, ndërkohë që Kodi Zgjedhor përcakton qartë se “programi kompjuterik i RKGJC (Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile) bën ndarjen automatike të listës mbi bazën e numrit të qendrës së votimit të caktuar çdo zgjedhësi. Zgjedhësit me të njëjtin mbiemër nuk mund të ndahen në lista të ndryshme”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.
Sipas Koalicionit të vëzhguesve “në ekstratin zgjedhor janë evidentuar edhe pasaktësi të tjera, madje rezultojnë qendra votimi pa asnjë të dhënë siç është rasti i QV Nr. 1699 në Njësinë Bashkiake Nr. 1, në Tiranë.”
“Ministria e Brendshme duhet të marrë urgjentisht masa të furnizojë me pajisjet e nevojshme kancelarike Zyrat e Gjendjes Civile në Kuçovë, Lushnjë, Kavajë, etj, ku procesi i publikimit të listave ka ngecur për mungesë të bojës së printerit”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të deklaratës Koalicioni i Vëzhguesve kërkon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përdorë sa më parë instrumentet e tij për të mbikëqyrur nga afër procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit si dhe të numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi, sikundër e kërkon ligji, si edhe për të ushtruar autoritetin e tij për të mbështetur e ndihmuar Njësitë e Qeverisjes Vendorë në realizimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit 2013.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)