Ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin aksin Lozhan–Moglicë–Gramsh si rrugë alternative pas bllokimit të aksit Librazhd-Pogradec, ky segment paraqitet me dëmtime të shumta në trupin e rrugës, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe problematik.
Kjo thirrje vjen pasi ARRSH njoftoi bllokimin e qarkullimit në aksin Librazhd–Pogradec, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, për arsye sigurie.
Megjithatë, drejtuesit e mjeteve që orientohen drejt itinerarit alternativ përballen me një tjetër problematikë, pasi edhe ky aks rrugor ka nevojë për ndërhyrje dhe përmirësim të menjëhershëm.
Me një gjatësi prej 18.8 kilometrash, rikonstruksioni i kësaj rruge kushtoi rreth 1 164 381 419,00 lek (12 milionë euro). Investitori është Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa punimet u realizuan nga kompania Gjikuria sh.p.k. e cila ka ende brenda garancisë 1-vjeçare këtë aks kombëtar. Kjo është hera e dytë që në këtë segment raportohen probleme të ngjashme, çka shton dyshimet mbi cilësinë e punimeve.
Lajmi kryesor:
‘Paralizohet’ juglindja, shembja e rrugës Librazhd-Përrenjas bllokon qarkullimin për të gjitha mjetet! Kalimi nga Maliqi, por rruga e dëmtuar (VIDEO)











