Landover, Maryland (SHBA) - Në 'Northwest Stadium' të Marylandit, Franca ia doli të fitonte 3-1 të dielën miqësoren kundër Kolumbisë. Katër ditë pasi mposhtën 2-1 Brazilin, po në SHBA, djemtë e Didier Deschamps treguan se janë ndër pretendentët kryesorë për të marrë trofeun e Kupës së Botës 2026.
Deçiziv për 'Gjelat' ishte 20-vjeçari i PSG-së, Desire Doue, i cili shënoi dy golat e parë me ekipin e Francës. Djaloshi zhbllokoi sfidën pas 29 minutave lojë me një goditje nga kufijtë e zonës, i ndihmuar nga një devijim i amerikano-latinëve.
Në fundin e pjesës së parë, konkretisht në të 41-tën minutë, Marcus Thuram dyfishoi shifrat për Francën me kokë, pas një krosimi nga Akliouche. Minuta e 56-të solli edhe golin e tretë për Francën. Thuram pasoi bukur për Doue, me këtë të fundit që e ndali sferën pas krahëve të Monteros. Goli i nderit për Kolumbinë u shënua nga Jaminton Campaz në minutën e 77-të.
Kështu, Franca merr fitoren e dytë në pak ditë kundër dy rivalëve që mund t'i gjejë edhe në Kupën e Botës 2026, që këtë vit zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente











