MIAMI, SHBA - Kupa e Ligës e cila zhvillohet me klubeve të Amerikës së Veriut dhe asaj Qendrore nisi garën mëngjesin e sotëm me kohën në Shqipëri. Në 'Nu Stadium' të Miamit, Inter Miami fitoi 4-2 me përmbysje kundër meksikanëve të Atletico San Luis duke marrë tri pikët e para falë shkëlqimit të Lionel Messit.
Vendasit u befasuan pasi San Luis kaloi në epërsi pas vetëm katër minutave lojë me David Rodriguez. Reagimi i Inter Miamit ishte i menjëhershëm dhe barazimi 1-1 u vendos në minutën e 11-të. Allen hodhi një top në zonë dhe Messi 'fluturimthi' me një penallti në lëvizje ia la topin pas krahëve portierit Sanchez.
Në minutën e 25-të vendasve iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, por vetëm disa sekonda më vonë Segovia kaloi Inter Miamin në epërsinë 2-1. Fundi i pjesës së parë ishte fatal për Atleticon, kjo pasi Inter Miami shënoi dy gola.
Në minutën e 44-t, Allen asistoi sërish për Messin dhe 'Pleshti' shënoi golin e dytë personal për rezultatin 3-1. Në shtesën e shtatë Micael shënoi edhe golin e katërt për Inter Miamin, kjo me asist të Lionel Messit. Në fraksionin e dytë miqtë shkurtuan me Llorenten për 4-2, por tri pikët shkuan për Inter Miamin.









Komente
Komento