Një video e papublikuar më parë e vitit 1992, kur Presidenti i sapo zgjedhur i Shqipërisë Sali Berisha, ministri i Jashtëm Alfred Serreqi, priten në zyrën e Shtëpisë së Bardhë nga presidenti i SHBA-ve George H.W. Bush, është postuar në internet.

Në videon e postuar nga Fred Abrahams, autori i librit të sapo botuar “Shqipëria moderne”, Sali Berisha bisedon me Presidentin Bush dhe e falënderon për rolin e tij në ndryshimet në Shqipëri.

“Zoti President është një nder i madh dhe një kënaqësi e madhe që u prita nga ju, dhe ju falënderoj ju dhe qeverinë amerikane për asistencën ekonomike dhe politike që është thelbësore për Shqipërinë në një kohë tranzicioni”, shprehet Berisha.

Më pas Presidenti Bush (i vjetri) e drejton bisedën nga simpatia e shqiptarëve për Amerikën, e vënë në dukje gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit James Baker (gjithashtu pjesëmarrës në bisedë), në Shqipëri:

"U duk një tërheqje për SHBA-në nga vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker në Shqipëri. Jemi të kënaqur që ju presim".

Berisha e siguron Bushin për "ndjenja të veçanta dhe miqësore që shqiptarët kanë për SHBA-të dhe qeverinë amerikane".

Në përfundim të takimit, Presidenti Bush i fal Berishës një stilolaps, me të cilin sapo ka firmosur një projektligj që synonte t’i jepte Shqipërisë statusin e vendit të preferuar në tregti./shekulli/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)