Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë përmes një deklarate për shtyp, pas publikimit të një video nga Partia Demokratike ku shiheshin parcela të mbjella me kanabis përgjatë lumit të Vlorës.

Sipas policisë së Shtetit pamjet e tranmetuara nga PD janë filmuar nga vetë Policia e Shtetit si pjesë e punës intensive për dosjen hetimore përkatëse.

Policia deklaron se bazuar mbi këto hetime u zhvillua aksioni për asgjësimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të shkeljes së ligjit.

Deklarata e plotë e policisë:

Policia e Shtetit falënderon subjektin politik që me deklaratat dhe pamjet e shfaqura sot u bën jehonë aksioneve të Policisë së Shtetit dhe luftës së pandërprerë kundër kultivimit të narkotikëve. 

Pamjet që u transmetuan sot nga PD janë filmuar nga vetë Policia e Shtetit si pjesë e punës intensive për dosjen hetimore përkatëse. 

Bazuar mbi këto hetime (përfshirë edhe pamjet) u zhvillua aksioni për asgjësimin e këtyre bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të shkeljes së ligjit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit bën me dije se kanë nisur verifikimet dhe do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore e penale të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë nxjerrë sekretin hetimor, duke ekspozuar detaje të një dosje në hetim.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com