TURQI - Trabzonspori është një nga ekipet gjysmëfinaliste të Kupës së Turqisë. Ekipi ku luan edhe sulmuesi i Kombëtares, Ernest Muçi, fitoi pas penalltive në udhëtim kundër Samsunspor duke marrë një biletë për në fazën e radhës.
Ernest Muçi vinte nga një dëmtim i rëndë që e mbajti gjatë jashtë fushe, teksa me t'u hedhur në fushë u tregua vendimtar me penalltinë e fundit të shënuar për të tijtë.
Ishte minuta e 72-të e takimit, kur trajneri Fatih Tekke u bind që të hidhte në fushë fantazistin kuqezi. Ndeshja përfundoi 0-0 dhe skuadrat iu drejtuan 30 minutave shtesë, në të cilat nuk u prodhuan gola.
Nga pika e bardhë e 11 metërshave ishte Trabzonspori që fitoi 1-3, teksa penalltinë e fundi për miqtë dhe atë që solli triumfin e realizoi Muçi. Veç tij edhe portieri Onana bëri mirë te Trabzonspori.
Pas ndeshjes, Muçi tregoi se dëmtimi e kishte lënë disa ditë pa ecur.
"Kisha një dëmtim, për një apo dy javë nuk mundesha as të ecja ndaj ishte një periudhë e vështirë. Por tani po bëhet çdo gjë më mirë në stërvitje dhe ndjehesha mirë. Ndaj shpresoj që në ndeshjen e radhës të luaj më shumë minuta dhe të vazhdoj të ndihmoj ekipin”, u shpreh Muçi pas ndeshjes.
Në gjysmëfinale kaloi edhe Besiktasi, duke mposhtur 3-0 Alanyaspor në Stamboll. Goli i tretë u realizua me asistin e Milot Rashicës.
Gjysmëfinalet e Kupës së Turqisë:
Genclerbirligi - Trabzonspor
Besiktas - Konyaspor
Komente









