ITALI - Raundi i parë i Kampionatit Italian të Qëndrueshmërisë GT me makina në pistën e Misano “Marco Simoncelli” u mbyll me tensione të forta gjatë fundjavës, ku vëmendja nuk u përqendrua vetëm te gara, por te incidentet e rënda pas finishit.
Përplasja nisi gjatë garës, pas një rifillimi nën makinën e sigurisë, kur Lamborghini nr. 66 i Vincenzo Sospiri Racing, i drejtuar nga Edoardo Liberati, pati kontakt me Audin nr. 99 të Tresor Attempto Racing në kthesën e Quercias.
Ky incident solli penalizim për skuadrën Lamborghini, e cila u ndëshkua për parakalim të parregullt gjatë garës, duke ndikuar në renditjen përfundimtare. Situata u përshkallëzua menjëherë pas përfundimit të garës, kur anëtarë të dy ekipeve u përfshinë në një përballje të ashpër në zonën e bokseve.
Fillimisht pati debate verbale, por më pas tensioni degjeneroi në shtyrje fizike, ku disa persona u rrëzuan në tokë. Pamjet e incidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta në botën e motorsportit. Autoritetet e garës ndërhynë menjëherë, duke marrë masa të forta disiplinore.
Audi nr. 99 u skualifikua për “sjellje josportive pas garës”, ndërsa Rinaldi Racing u shpall fituese e raundit. Në këtë fundjavë në Misano ishte i pranishëm edhe piloti i Formula 1 Kimi Antonelli, i cili ndoqi nga afër aktivitetin gjatë pushimit mes garave të sezonit.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet që shpesh shoqërojnë garat e GT-së, ku rivaliteti në pistë shpesh kalon edhe jashtë saj. Autoritetet pritet të vijojnë hetimet disiplinore për incidentin, ndërsa ekipet përfshira mund të përballen me masa të mëtejshme ndëshkuese.
Komente










