VLORË - Vendasit e Flamurtarit u mposhtën 0-1 nga AF Elbasani të hënën në Vlorë, sfidë që vlente për raundin e 10-të të Superligës. Paçka lojës së fortë, me raste dhe kontenstime, ajo që fitoi vëmendjen ishte sjellja e tifozëve gjatë dhe pas ndeshjes.

Në Vlorë këtë radhë fitoi huliganizmi, teksa për fat nuk pati të lënduar. Gjithçka nisi në minutën e 10-të të ndeshjes, kur ofendimet në kor tejkaluan masën dhe tifozët e të dyja skuadrave ishin gati për një përleshje masive. Masat e policisë, largësia e dy tifo-grupeve në stadium dhe gardhet penguan një acarim të situatës.

Gjithçka më pas vijoi në fundin e ndeshjes. Me tifozët e AF Elbasanit të shumtë në numër, policia u kujdes t'i mbante ata në sektorin e tyre edhe pas ndeshjes. Mirëpo, me infrastrukturën sportive në Shqipëri që ende ka vend për përmirësim, 'miqtë' nga Elbasani filluan të thyenin stolat dhe t'i hidhinin nga pas stadiumit, në rrugë ku po kalonin tifozët e Flamurtarit.

Këta të fundit u rigrupuan dhe filluan kundërpërgjigjen, me gurët, stolat dhe të sharat që 'vërshonin si lumë' në mes të Vlorës. Kjo situatë e rënduar zgjati për disa minuta, ndërsa tifozët elbasanas janë filmuar duke prishur stolat e stadiumit dhe duke i hedhur drejt rivalëve, një shfaqje e hapur e huliganizmit.

Në një kohë kur gara në Superligë nuk fton tifozët për në stadium, ndodh edhe kjo që në të paktat raste kur impiantet mbushen, skena të tilla të largojnë dashamirësit e futbollit.