Juventusi u eliminua në fazën play-off të Champions League. 'Zonja e Vjetër' ia doli ta dërgonte ndeshjen në shtesë pasi mbylli kohën e rregullt në avantazhin 3-0 dhe të barazonte rezutatin e përgjithshëm kundër Galatasarayt në 5-5, ndërsa Edon Zhegrova ishte një ndër lojtarët më të mirë të bardhezinjve edhe pse u fut në fushë në minutën e 67-të.

Në shtesën e gjashtë, Zhegrova kishte një mundësi të artë për të shënuar golin e katërt për 'Zonjën e Vjetër'. Pasimi i McKennie nxori të lirë 26-vjeçarin shqiptar, ndërsa e majta e Zhegrovës kaloi shumë pranë portës, por përfundoi jashtë, për të sjellë habinë e gjithë stadiumit. Madje mesfushori i Juves, Adzic, nisi të festonte para se Zhegrova të godiste topin, por në fund buzëqeshja i 'ngriu në buzë'.

Ky moment ka bërë që Zhegrova të reagonte në kanalet e komunikimit pas sfidës, duke thënë se 'kjo është pjesë e rrugëtimit'.

"Sonte (dje) dhemb. Por kjo humbje është pjesë e rrugëtimit tim! Krenar për skuadrën dhe mentalitetin që treguam. Faleminderit të gjithë tifozëve në stadium, ishit të jashtëzakonshëm", shkruan 26-vjeçari shqiptar.