Edhe pse miqësia e tyre është shumë e mirë të cilën e kanë treguar edhe në publik, së fundmi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka urdhëruar të ekzaminojnë karrigen në të cilën do ulej para takimit me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Sigurimi i Kim është parë duke kryer kontrolle rigoroze në karrigen e tij, përpara samitit të tyre të shumëpritur në kozmodromin Vostochny, raportojnë mediat e huaja.
Fillimisht, në video shihet një burrë me doreza të bardha dhe kostum të errët që fshin karrigen e zezë me një leckë të bardhë përpara se të dy liderët të ulen për takimin, i cili zgjati më shumë se 4 orë në qendrën hapësinore të Rusisë në Lindjen e Largët.
Agjenti pastron tërësisht karrigen, pjesën e pasme të saj dhe mbështetëset e krahëve, ndërsa në ndihmë i vijnë edhe dy zyrtarë të tjerë të Koresë së Veriut, të cilët qëndrojnë pas tij me më shumë pajisje pastrimi nëse do të nevojiteshin.
Pasi u siguruan se karrigia ishte e pastër nga çdo pajisje përgjimi apo lënë kimike të mundshme, një zyrtar i dytë testoi përsëri nëse karrigia ishte e fortë për të përballuar peshën e liderit të tij suprem, që është mbi 130 kg.
Më pas u shfaq sërish agjenti që pastroi karrigen për ta skanuar me një detektor të vogël metalesh. Një person i katërt, i cili duket se është rus, e vëzhgon nga afër, duke i qëndruar gjithë kohën mbi supe një prej zyrtarëve të Koresë së Veriut.
Është e paqartë përse sigurimi i Kim u investua kaq shumë për të inspektuar karrigen ku do të ulej lideri i tyre, por gjasat janë që ata i druheshin lëndëve kimike vdekjeprurëse si Novichok dhe Polonium 210, të cilat janë përdorur më parë nga spiunët e Putin për të helmuar armiqtë.