SHBA - E diela ka qenë një ditë historike për mesfushorin shqiptar Adri Mehmeti. Vetëm 17 vjeç ai u përball si titullar kundër Lionel Messit dhe shënoi një nga golat e New York Red Bull në barazimin 2-2 kundër Inter Miamit në udhëtim. Ky ishte goli i parë për shqiptarin në MLS amerikane të futbollit, teksa përballë kishte as më pak e as më shumë tetë herë fituesin e 'Topit të Artë', Lionel Messin.

Me sfidën që po fitohej 2-1 nga Inter Miami, Adri Mehmeti u kujdes që të barazonte rezultatin në minutën e 77-të. Pasimi i 18-vjeçarit Julian Hall bëri që 17-vjeçari shqiptar, Mehmeti, i lindur në New York, të barazonte për 2-2.

Festa ishte legjitime për djaloshin shqiptar i cili festoi përballë një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, Lionel Messit, me këtë të fundit që gjatë 90 minutave në fushë as shënoi dhe as asistoi.

Kush është Adri Mehmeti?

I lindur në New York më 6 prill 2009, Mehmeti festoi ditëlindjen e 17-të vetëm një javë më parë dhe i rezervoi vetes një dhuratë shumë të madhe, golin e parë në karrierë. Ai ka qenë pjesë e akademisë së New York Red Bull prej një kohe të gjatë, ndërsa në vitin 2024 u bashkua me ekipin e dytë.

Tanimë ai është titullar me ekipin A dhe këtë sezon ka luajtur shtatë ndeshje duke shënuar një gol dhe asistuar në dy të tjerë.

I ftuar te Shqipëria U-15 nga trajneri Armand Dama, Mehmeti ka luajtur tre herë dhe ka shënuar një gol me kuqezinjtë në tetorin e vitit 2023, por një muaj më pas vendosi të përfaqësojë moshat U-15 të SHBA, ku ka luajtur në shtatë takime dhe ka shënuar një gol.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 12 Prill, 11:12

    Dështojnë negociatat SHBA-Iran, e kujt mendoni se është përgjegjësia?