Milani triumfoi 3-2 në miqësoren ndaj Manchester Cityt. Paulo Fonseca nis të shohë frytet e punës së tij te Milani, që ia ka dalë të triumfojë me rezultatin 3-2 me përmbysje ndaj Manchester Cityt, në miqësoren e zhvilluar në New York para më shumë se 50 mijë tifozëve.
Kampionët e Anglisë kaluan të parët në avantazh me anë të Erling Haaland në minutën e 20-të, por reagimi i italianëve ishte i shpejtë, pasi sulmuesi i talentuar Lorenzo Colombo shënoi dy herë në minutat 30-të dhe 34, në të dy rastet me asiste të Chukuezes, duke përmbysur rezultatin.
Në pjesën e dytë “Qytetarët” gjetën golin e barazimit me anë të McAtee, por Milani shënoi sërish me 20-vjeçarin Nasti për të siguruar triumfin 3-2. Vlen të theksohet se Pep Guardiola kishte në fushë vetëm 3 titullarë nga sezoni i kaluar dhe pjesa tjetër ishin të rinj, ndërsa Milani aktivizoi një pjesë të mirë të titullarëve, ndonëse mungonin francezët Maignan e Theo, por edhe ylli portugez Rafael Leao.
Pas humbjes nga Celtic disa ditë më parë, sërish Man. City shënon disfatën e dytë radhazi në miqësore.