FIER- Një ditë pas flakëve të fuqishme që shkrumbuan traversat e drurit në hekurudhën Fier-Vlorë dhe rrezikuan banesat në zonë, Policia ka vënë në pranga zjarrvënësin. Në këtë video, mund të shihni edhe momentin kur 51-vjeçari Romeo Ndreko  shfaqet me një shishe me lëndë djegëse dhe i vë flakën barishteve pranë hekurudhës.

Blutë e Fierit thonë se 51-vjeçari dyshohet se e ndezi zjarrin për të pastruar sipërfaqen e tokës nga barishtet, por flakët morën përmasa të mëdha. Policia thotë se traversat e drurit u djegën në një sipërfaqe prej 600 m2.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin R. N., 51 vjeç, banues në Fier.

51-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të shinave të trenit, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 600 metra katror me lëndë drusore të linjave hekurudhore”, njoftoi Policia e Fierit.

Ishin banorët e zonës, shtëpitë e të cilëve u kërcënuan nga flakët, të cilët lajmëruan shërbimet zjarrfikëse. Dy mjete dhe reparti zjarrfikës i Fierit ndërhynë për neutralizimin e flakëve dhe shmangien e rrezikut për banesat.