Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, kanë nisur punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Myslim Koçi”, një investim i rëndësishëm në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit të futbollit. Ky projekt synon krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive, veçanërisht për ekipet vendase dhe moshat e reja.
Me nisjen zyrtare të punimeve, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi nga afër procesin e rikonstruksionit gjatë një vizite në Gramsh, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Besion Ajazi.
Gjatë inspektimit, presidenti Duka u njoh në detaje me projektin, i cili parashikon rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ndërtimin e tribunës së re, modernizimin e ambienteve ndihmëse, si edhe instalimin e tapetit me bar artificial në fushën e stadiumit “Myslim Koçi”, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.
Në një prononcim për fshf.org, presidenti Duka vlerësoi projektin për stadiumin e Gramshit, duke e cilësuar si një impiant modest, por modern, që plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të nivelit të dytë.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi Bashkinë Gramsh për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit në çdo qytet të Shqipërisë.
Komente












Mire qe po beni stadiumin, po ne fillim duhet te gjeni banore si per te luajtur ashtu e per spektatore!
Përgjigju