Policia e Shtetit ka publikuar sot pamjet e një aksidenti aspak normal në afërsi të “Pallatit me Shigjeta” në kryeqytet. Drejtuesi i një automjeti nuk respekton semaforin, hyn me të kuq dhe përplas një motor. Por pavarësisht kësaj ai nuk ndalet për t’i dhënë ndihmën e parë.

Në videon e shpërndarë nga policia duket edhe momenti ku ndodh aksidenti i frikshëm. Policia thotë se ka mundur të identifikojë e arrestojë drejtuesin, një 37-vjeçar me iniciale A.N. falë regjistrimit të kamerës së një tjetër mjeti. Ai ka rezultuar edhe i dehur.

Ky është rasti më i mirë për të provuar besueshmërinë; dhe faktin që nëse qytetarët telefonon në kohë tek policia. Reagimi ishte i shpejtë dhe parandalues i pasojave të mëtejshme, që mund të vijnë si rezultat i papërgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve, ashtu siç ishte edhe drejtuesi këtij automjeti, i cili si pasojë e mosrespektimit të sinjalizmit të semaforit; në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta” u përfshi në përplasje me një motomjet. Nuk njoftoi policinë për aksidentin, u largua nga vendi i aksidentit duke mos i dhënë ndihmë të dëmtuarit. Po falë telefonatës në kohë dhe regjistrimit të ngjarjes nga kamera e bordit të një automjeti, Policia Rrugore e kryeqytetit u vu menjëherë në ndjekje të tij. E ndaluan dhe konstatuan se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur në masën 0.83 mg/l.

Drejtuesi i mjetit A.N. 37-vjeç, u arrestua në kushtet e flagrancës për veprën penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur si dhe iu pezullua leja e drejtimit për mosdhënie ndihme të të dëmtuarit dhe largim nga vendi i aksidentit.

Policia e Shtetit