Video/Rama 'selfie' me miqtë 'nona'
të rrjeteve sociale: Gëzuar 2015!!!

Video/Rama 'selfie' me miqtë 'nona'<br />të rrjeteve sociale: Gëzuar 2015!!!
TIRANE - Sot, në ditën e fundit të vitit, Kryeministri Rama përpara konferencës së bilancit të vitit 2014, mirëpriti në hollin qendror të Kryeministrisë, miq të rrjeteve sociale, të rinj e të reja, nxënës e studentë, qytetarë aktivë, të cilët komunikojnë çdo ditë me Kryeministrin përmes komenteve dhe opinioneve të tyre në FB dhe Twitter.

Të rinjtë mirëpritën këtë iniciativë të Kryeministrit, duke shprehur kënaqësinë për takimin e drejtpërdrejte me të dhe mundësinë për t’i uruar aty, Vitin e Ri. Kryeministri ftoi të rinjtë që të shprehnin lirshëm dhe pa drojë, opinionet e tyre, ashtu siç ata çdo ditë bëjnë në rrjetet sociale.

Në përfundim të bisedës me ta, Kryeministri i ftoi të rinjtë të bënin së bashku një video-selfie, si kujtim i pragfestës së Vitit të Ri. Në videon që qarkullon në rrjetet sociale, kryeministri së bashku me miqtë e tij, urojnë përpara Kryeministrisë të gjithë qytetarët shqiptarë për një vit të ri 2015 më të mbarë nën thirrjet: Të vrapojmë më shpejt!
 
 


Më poshtë biseda e plotë e kryeministrit Edi Rama me ndjekësit e tij në rrjetet sociale:
"Është shumë kënaqësi që të takojmë njëri-tjetrin besoj, por më shumë kënaqësi për mua që nga gjithë ai numër miqsh virtualë të mund të shikojë fizikisht disa, si miq real. Ju jeni pjesë e komunitetit të madh të facebook-ut dhe të Twitter-it dhe sot jemi sëbashku këtu sepse jeni përzgjedhur në bazë të lojës për të përcaktuar “foton e vitit”.

Për më shumë se kaq, në fakt, sepse ky është vetëm sebepi, për të shprehur një falenderim shumë të sinqertë për të gjithë ata qindra mijëra ndjekës në Facebook dhe Tëitter, të cilët në vazhdimësi komentojnë, inkurajojnë, kritikojnë, shajnë, duke krijuar një mundësi të hatashme për të komunikuar, për të ndarë sëbashku sfidat, problemet, shqetësimet, arritjet dhe mangësitë, për të më mbajtur mua, por praktikisht për të mbajtur të karikuar të gjithë përfaqësuesit publikë, të cilët janë në këtë komunitet të madh dhe shkëmbejnë vazhdimisht me ndjekësit e tyre statuse, komente, fotografi, video, selfie, video selfie.

Është një rast i veçantë për të thënë disa gjëra. Së pari, për t’i thënë gjithë atyre që më ngacmojnë herë pas herë që “ngele në Facebook”, “ça bën o burrë i dheut, s’ke punë tjetër”, “s’të kemi zgjedhur që të postosh statuse”, “s’të kemi vënë aty që të na mbushësh me fotografi” e kështu me radhë, por, në fakt, e vërteta është se kjo është një mundësi fantastike që harxhon kohë pothuajse fare, zero dhe që mundëson në kohë reale një informim të drejtpërdrejtë pa ndërmjetës. Sigurisht pastaj që informacioni duhet kolauduar edhe nëpërmjet ndërmjetësve që janë mediat, që janë gazetarët, që janë analistët dhe që ul jashtëzakonisht edhe kostot financiare, pasi çdo komunikim nëpërmjet mediave kushton, ju kushton mediave, por na kushton edhe neve. Kështu që ky është një instrument, një mjet, një rrjet i pazëvendësueshëm dhe falë jush, i pakrahasueshëm me asgjë tjetër për nivelin e penetrimit të komunikimit dhe për nivelin e shkëmbimit të komunikimit.

Unë jam mirënjohës sinqerisht për të gjithë ata që janë aktivë, pavarësisht nëse janë dashamirës apo jo dhe aq dashamirës, pavarësisht nëse çojnë mesazhe inkurajues apo nëse kritikojnë. Sigurisht më vjen keq për ata që përdorin fjalor banal, por është pjesë e lirisë së rrjetit dhe më mirë që është kështu, sesa të kishim një rrjet me censurë. Besoj e dini atë shprehjen që është një nga etalonët e lirisë së fjalës që thotë: “Unë nuk jam dakord me asgjë me ato që thua, por jam gati të jap dhe jetën që ti të kesh lirinë t’i thuash”. Çka do të thotë që liria e fjalës është e panegociueshme dhe është e patjetërsueshme, qoftë edhe në emër të etikës së domosdoshme që duhet ruajtur, apo duhet promovuar përmes promovimit të ideve, apo përmes promovimit të kritikave.

Ky rrjet do të ishte, të paktën për sa më takon mua, për sa i takon atyre që merren me politikë, i pavlefshëm, nëse nuk do të kishte edhe përmasën e vet kritike, pavarësisht në një aspekt nuk ka qenë dhe fare pa të drejtë kush e ka quajtur prodhimin e komenteve në rrjet, si industrinë e inatit dhe të mllefit, por edhe kjo bën pjesë në mundësitë për ta kuptuar më mirë publikun, për të kuptuar deri në fund ndjesitë, të cilat edhe kur shprehen në mënyrë jo fort etike përçojnë një mesazh, përçojnë një gjendje që është patjetër detyrim i një njeriu politik që ta ndjejë. Në këndvështrimin tim, një tjetër e mirë e rrjetit është se të ndihmon të marrësh shumë informacion nga gjendja shpirtërore, nga gjendja emocionale e pjesëmarrësve në debate apo e komentuesve.

Nga ana tjetër, unë besoj se të gjithëve ju, ju takon një falënderim patjetër edhe për aspektin që ka të bëjë drejtpërdrejtë me inkurajimin, pasi inkurajimi është i domosdoshëm, është gjenerator i një energjie pozitive që ndihmon shumë për të mos u tërhequr përballë pengesave që shfaqen në një rrugë që duhet çuar deri në fund, me vendosmëri dhe pa u lëkundur nga luhatjet e natyrshme të opinionit, kur bëhet fjalë për reforma të cilat prekin një gjendje status quo, të cilat prekin një gjendje komoditeti, pavarësisht se ky komoditet dhe kjo status quo janë të mësuarit me një cilësi të ulet jete.

Për të rritur cilësinë e jetës, na duhet të pranojmë dhe sakrifica. Për të vrapuar më shpejt, na duhet të pranojmë edhe mundimet e ushtrimeve që do të bëjmë për të vrapuar më shpejt. Për të kuruar një sëmundje, na duhet të pranojmë terapitë që s’janë aspak të këndshme, na duhet të pranojmë ilaçet e hidhura, na duhet të pranojmë edhe të jetuarit me konsekuencat e terapive për një periudhe kohe, por, pa dyshim, me vetëdijen që të gjitha këto vlejnë për të kaluar nën një nivel të ri të cilësisë së jetës.

S’dua t’ju mbaj gjatë, dua t’ju jap fjalën. Nuk i di as emrat, nuk di as nga vinë e nga janë, por po i quaj bashkëvuajtës këtu në praninë tuaj.
" tha Rama

Fjala e të rinjve miq të kryeministrit në rrjetet sociale:
Unë doja të thoja se ideja e Kryeministrit për të mbledhur fansat e tij në ambientet e Kryeministrisë është fantastike. Më pëlqen shumë fakti që po përpiqet të mbajë lidhjen me botën virtuale, si dhe detajet e vogla, p.sh, që e përditëson vetë FB e tij, si dhe fakti që nuk i fshin komentet, por i lë aty të gjitha, qoftë edhe komentet negative,”  u shpreh njëri prej tyre.

Duke e konsideruar këtë takim si një mundësi për promovimin e vlerave qytetare, jo vetëm virtualisht, por edhe drejtpërsëdrejti, një studente u shpreh: “Unë do të doja t’ju falënderoja për të gjithë mundësinë që i keni dhënë studentëve, po flas sot si përfaqësuese e tyre, për të promovuar dhe për të shfaqur vlerat e tyre. Do të doja t’i thoja të rinjve që janë këtu, përdoreni FB dhe të gjitha rrjetet sociale si mundësi për të parë të gjitha këndvështrimet politike dhe pse jo, në këtë mënyrë mund të jemi kritikë më të mirë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)