Kryeministri Edi Rama ka njohur qytetarët me një tjetër projekt, që po realizohet në kryeqytet. Bëhet fjalë për Sharrën, që sipas kreut të qeverisë, mbledhja, përpunimi dhe prodhimi i energjisë nga mbetjet do të bëhet përmes një modeli të ri standardesh evropiane, me zero impakt negativ për ajrin.

NJË FAKT SHEMBULLOR KUNDËR HIRIT TË SYVE. A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujrat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqiperinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tonë, përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Europian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekuli nuk u bë asgjë! Kjo që shihni është një video e projektit, që tanimë po realizohet në Sharrë dhe jo thjesht një projekt në kompjuter.

Duke ju garantuar se kështu do ta zhbëjmë mallkimin e plehrave jo vetëm në Tiranë, Elbasan e Fier, po edhe së shpejti në Durrës e më tej në gjithë Shqipërinë, ju ftoj të gjithëve të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin, po thjesht t’u besoni syve tuaj dhe fakteve kokëforta të dobisë së jashtëzakonshme të këtyre nismave, për Shqipërinë e pastër Europiane që duam për femijët tanë.

Kryeministri Edi Rama