Nëse bëni një udhëtim në Ravenna, spektakli dhe magjia nuk kanë fund. Sant’Apollinare, mozaikët, varri i Dante Alighierit, mauzoleumi i Galla Placidia, San Vitale dhe tani edhe numrat e Ronaldinhos. Ravenna është një festival. Ideja e familjes Cipriani ka sjellë në qytet një ikonë 46-vjeçare, fitues i Topit të Artë në vitin 2005, një figurë që në botën e futbollit është praktikisht pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. Mirabilandia nuk është larg, Dinho ka buzëqeshjen e tij të madhe, e cila nuk i mungon kurrë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu me miqtë. Kemi një skuadër për të bërë mirë. Nëse do të më shihni në fushë? Nuk e di” - buzëqesh ai - “e di trajneri. Njerëzit kanë qenë shumë të dashur me mua, rikthimi në Itali është diçka e mrekullueshme. Gëzimi më i madh që mund t’i dhuroja vetes? Jam këtu për të ndihmuar shokët e skuadrës dhe për të fituar, nëse është e mundur”, thotë Dinho.
Dita e Ronaldinhos në Ravenna kishte nisur me mbërritjen, pak pas mesditës, në aeroportin e Forlit. Ai firmosi autografe në një helmetë dhe në një dosje të dy punonjësve të aeroportit. Telefonin e mbante në dorën e majtë, ishte veshur me stil modern, kishte kapelen e tij karakteristike dhe buzëqeshte nga dritarja e makinës. Më pas hëngri drekë dhe bëri një dremitje pasditeje në Rezidencën La Monaldina, një vilë e shekullit XVIII që dikur i përkiste Raul Gardinit.
Më pas, destinacioni ishte prezantimi i skuadrës në Marina di Ravenna. Dhe, sigurisht, ai ishte aty. Një pritje madhështore. Gjithçka e vërtetë.
“Goli im i 300-të? Nëse ndodh, do të jetë edhe më bukur.”
Goli në derbi - “Në Itali kam kujtime shumë të bukura dhe goli në derbi ka qenë momenti më i mirë. E ndjek gjithmonë Milanin, është një skuadër që më pëlqen shumë. Modric” - të cilin e takoi mbrëmjen e kaluar - “ka qenë një nga më të mëdhenjtë. Do të më pëlqente të organizohej një ndeshje miqësore Ravenna - Milan.”
Ravenna drejtohet nga Andrea Mandorlini, i cili ka qenë zëvendëstrajner i verdhekuqve nga viti 1994 deri në 1998. Skuadra do të luajë në Serie C dhe ndër lojtarët më të spikatur janë Nicolas Viola, Giulio Donati dhe Esposito, kapiteni, si edhe Fischnaller. Në ekip do të gjejë edhe Vinicius, një tjetër brazilian me teknikë të mirë.
Dhe pastaj është ai, Dinho, fitues i gjithçkaje dhe koleksionist golash, autografesh, selfiesh, vëmendjeje dhe brohoritjesh nga një qytet që do ta nisë kampionatin më 24 kundër Reggianës dhe që tani ndihet paksa si Hollywood.
“Më shihni,” - buzëqesh Dinho - “jam në formë. Jam mirë…”
Aksionet dhe derbi - Ignazio Cipriani, presidenti i skuadrës, merkatoja e së cilës drejtohet nga legjendari Ariedo Braida, tha:
“Mos më bëni mua pyetje,” - thotë Ariedo, zëvendëspresidenti i Ravennas dhe drejtuesi historik i Milanit. “Këtu kemi magjinë e futbollit. Çfarë doni më shumë? Një ish-kampion e ka vendosur Ronaldinhon në vendin e parë mes më të mëdhenjve.”
Ignazio Cipriani e kishte bërë të ditur lajmin nga Miami, përmes një komunikate. Ai kishte qenë i qartë:
"Ronaldinho është këtu me një objektiv të qartë dhe romantik, të provojë të shënojë golin e fundit të karrierës së tij. Përfshirja e tij nuk është thjesht një lëvizje për fasadë apo një ‘lojë’ marketingu për të tërhequr vëmendjen ndaj nesh. Ronaldinho do të bëhet aksioner i Ravennas”, tregoi ai.
Ja pra shpjegimi i këtij transferimi të bujshëm, i konfirmuar edhe dje.
Kështu, Gaucho, ish-lojtari i Milanit, është pjesë e projektit. “Po, do të marrë disa aksione,” - konfirmon Cipriani - “por të hënën kundër Reggianës nuk do të jetë. Ëndrra është që më pas të shënojë një gol në derbin tonë.”









Komente
Komento