Juventus nuk ndalet në marshimin drejt fitoreve, e rradhës ishte sonte 1:0 ndaj Sassuolos në përballjen për javën e 29-të të kampionatit italian.  Vendimtar në fitoren e juventinëve ishte sulmuesi Dybala, i cili në minutën e ’36-të çon në rrjetë një gjuajtje spektakolare nga jashtë zone. 

Vlen për tu veçuar edhe rekordi i portierit legjendar të Juventus, Gian Luigi Buffon, i cili mban të paprekur portën e tij prej 900 minuta. Goli i fundi i pësuar nga Buffon është ai në përballjen me Sampdorian në 10 Janar, dy muaj më parë. 

Me këtë fitore, torinezët ruajnë kështu ritmin e rezultateve pozitive në Seria A, duke kryesuar kampionatin me 67 pikë, 6 më shumë se Napoli i vendit të dytë, por me një ndeshje më pak. 

Pas konsolidimit të pozitave në krye të Seria A, të besuarit e Alegrit udhëtojnë të qetë drejt Gjermanisë, për sfidën e kthimit me Bayern Munchen, për 1/8 e Ligës së Kampionëve. Sfida e parë në Torino mes kampionëve të Italisë dhe Gjermanisë, përfundoi me rezultatin e barabartë 2:2.