Video/Shpërthimi në farmaci, ja
pamjet e atentatorit me biçikletë
/VIDEO

TIRANE - A1 Report publikon pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të vendosjes së eksplozivit dhe momentit të shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Atentatori është kapur nga kamerat e sigurisë së një biznesi tjetër aty pranë ku ai dallohet me një biçikletë që ka vendosur bombën në murin e farmacisë, në pjesën e jashtme të kondicionerit.

Shpërthimi në Farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndodhur rreth orës 02:54, ndërkohë që videoja e siguruar nga A1 Report nga kamerat e sigurisë shënojnë orën 02:23 si momentin e vendosjes së bombës.

Menjëherë pas vendosjes së tritolit është larguar me shpëjtesi me biçikletë nga vendi i ngjarjes. Nga ana e saj Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë për identifikimin e autorit, duke telefonuar në numrin e qendrës operative: 129

Ndërkohë po sot detaje të reja kanë dalë në skenë nga hetimet që policia po kryen në lidhje me ngjarjet e rënda të mëngjesit të djeshëm. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditura për A1 Report bomba e vënë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në vendin ku parkonte automjetin e tij Bashkim Tahiri,  ishte parashikuar që të shpërthente e para, por sipas policisë kjo nuk ka ndodhur për shkak të një defekti teknik të tritolit.

Ka qenë pikërisht kjo bombë tritoli e cila ka zbuluar edhe numrin e kartës SIM të celularit të vendosur në të. Dhe sipas policisë, në këtë bombë ka mbërritur thirrje nga i njëjti numër telefoni si ai që bëri të shpërthejë bombën në farmacinë e të atit të Saimir Tahirit. Këto fakte përforcojnë edhe më tepër pistën e hetimit, se të dyja atentatet janë kryer nga i njëjti person.

Kjo konfirmohet edhe nga kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi se i njëjti person ka vendosur edhe eksplozivin te stacioni i autobusit pranë urës tek Vasil Shanto, në vendin ku zakonisht parkonte makinën babai i ministrit Tahiri. Aktivizimi i bombës së dytë do të bëhej gjithashtu me telekomandim. Por bomba e cila është konstatuar rreth orës 06:10 është çaktivizuar me shpërthim të kontrolluar nga forcat RENEA. Didi: Dy atentatet nga e njëjta dorë

Ndërkohë që rreth orës 03: 56 të ditës së djeshme ka ndodhur një tjetër shpërthim  në kryeqytet ku si objektiv ka qenë shefi i krimeve në Vlorë, Alfred Numani. Fatmirësisht në momentin e shpërthimit nuk ka pasur njeri në banesë.


[ Foto Frame (me lëvizje) momenti i shpërthimit në farmaci ]


[ Foto Frame (me lëvizje) momenti i vendosjes së sasisë së tritolit nga personi me biçikletë ]

Ora 16:52 Bomba tek parkimi i makinës së Bashkim Tahirit nuk shpërtheu për defekt teknik
Bomba e vënë në rrugën “Muhamet Gjollesha” në unazë, pranë vendit ku parkon automjetin babai i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nuk ka shpërthyer si pasojë e një defekti teknik. Bomba e pashpërthyer ka lënë në dorën e policisë një provë të rëndësishme siç është karta SIM e celularit të vendosur në mekanizmin e bombës. Sipas policisë në këtë kartë telefoni ka mbërritur një thirrje nga i njëjti numër i cili pak minuta më pas ka dërguar thirrjen telefonike dhe në mekanizmin e bombës vendosur në farmaci, e cila shpërtheu.

Ora 16:50  I njëjti numër thirrje te celularët e bombave te farmacia e vendparkimi i Bashkim Tahirit
A1Report ka mundur të mësojë nga burime pranë grupit hetimor se numri nga i cili është kryer thirja telefonike drejt bombës në farmaci në Rrugën Kongresi i Manastirit është i njëjti me atë që ka kryer thirrjen në bombën pranë vend parkimit të automjetit të Bashkim Tahirit në rrugën Muhamet Gjollesha, e cila fatmirësisht s'ka shpërthyer.

Gjithashtu në këtë vend është parë një person me biçikletë, i cili dyshohet se është i njëjti me personin që ka vendosur eksplozivin te Farmacia e Bashkim Tahirit.

Ora 15:30 Visho Ajazi e mori vesh i fundit për sulmet
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika ka qenë një nga personat e fundit i cili është vënë në dijeni në lidhje tritolet në Tiranë ndaj familjes së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri mëngjesin e djeshëm.

Burime bëjnë të ditura se Visho Ajazi Lika i ka marrë vesh shpërthimet e ndodhura në orën 09:00, teksa ngjarjet e rënda kishin ndodhur që në orën 02:54. Mësohet se në takimin urgjent të mbajtur ditën e djeshme mes Tahirit, kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Visho Ajazit, ministri ka qenë mjaft kritik ndaj kreut të SHISH.

Ora 15:15 Policia apel qytetarëve: Nëse keni informacione, na kontaktoni 
Policia e Shtetit ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve duke kërkuar që të telefonojnë në nr 129 për të dhënë informacione të nevojshme  rreth personit i cili vendosi bombën në farmacinë e babait të Saimir Tahirit.
 
Policia e Shtetit garanton se do të ruhet anonimiteti i plotë për personat që do të japinë këto informacione. 

Ora 10:15 Didi: Shpërthimi i parë në farmacinë e Bashkim Tahirit në orën 02:54

"Në ngjarjet me eksploziv e datës 10 shkurt 2015 në Tiranë janë evidentuar 2 ngjarje me shpërthim eksplozivi dhe një e mbetur në tentativë, e para në farmacinë e Bashkim Tahirit, rreth orës 02:54. pas njoftimit shërbimi i policisë shkoi në vendngjarje dhe nisi proceduarat për zbulimin ne ngjarjes dhe rezultoi se në pjesën e jashtme të kondicionerit është vendosur eksploziv si dhe është dëmtuar kondicioner. Nga masat e marra dhe këqyrja në vendngjarje rezulton se lënda plasëse është e llojit tritol në masën 400 gr me komandim në distancë nga celulari."- tha Didi.
 shperthimi farmaci
Atentatori me bicikletë pranë farmacisë
shperthimi
(Fotosekuesncë- Momentet e vendosjes së tritolit nga personi me biciklete dhe shpërthimi) FOTO të tjera

kamera
(Foto: Kamera e sigurisë e një biznesi pranë farmacisë që ka filmuar ngjarjen)

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Presidenti Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt

Gjermani/ Presidenti Steinmeier shpërndan Parlamentin, zgjedhjet e reja më 23 shkurt