ITALI- Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane pasi akuzohen për vjedhjen e makinave luksoze në aeroportin e Milanos por jo vetëm.
Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur por mediat italiane shkruajnë se ata i përkasin moshës 45 dhe 51-vjeçare. Të arrestuarit ishin pjesë e një bande prej 4 personash të gjithë me kombësi shqiptare dhe me precedentë të më parshëm për vjedhje makinash e apartamentesh.
Grupi kriminal ishte i specializuar në vjedhjet e makinave luksoze, ku 'fiksimin' e kishin me Range Rover, për të cilët duheshin vetëm disa sekonda që ta hapnin, ndiznin dhe më pas të arratiseshin.
Pikërisht duke u referuar tek tipet e makinave që shqiptarët vidhnin, policia italiane e kodoi operacionin ndaj tyre 'Evoque'. Karabinierët hapën të gjitha kamerat, mbi dy mijë, nga ku ishin vjedhur Range Roverat dhe ndoqën nëpërmjet tyre rrugën që kishin përshkruar grabitësit shqiptarë.
Kjo zbuloi edhe strehën e 'thesarit' të tyre, dy garazhe nëntokësore që i kishin mbushur me 5 makina Range Rover dhe një Jaguar F-Type. Ndërkohë të arrestuarit akuzohen edhe për vjedhje e 4 banesave në provincat e Ravenna dhe Brescias.
Ndërkohë policia italiane ka publikuar edhe videon e vjedhjes së fundit të dy shqiptarëve, të cilët shihen teksa hapin në një parkim Range Roverin dhe tentojnë të ikin madje duke përplasur edhe trarët e pagesave të parkimit. Pas një ndjekje automjeti i vjedhur u përmbys për shkak të shpejtësisë së lartë. Kështu policia arriti t'i bllokonte dhe tu vinte prangat.