TIRANË - Trajneri i Partizanit U-18, Aldo Duro, është bërë protagonist i një gjesti që i ka kaluar kufijtë e motivimit. Me tensionin e sfidës që deri në ato momente po humbej nga të tijtë, Duro i ka dhënë një të shtyrë futbollistit Antonio Pëllumbi.

Gjithçka ka ndodhur në minutën e 79-të kur Pëllumbi po bëhej gati për t'u futur në fushën e lojës. Në inercie e sipër, kjo kombinuar edhe me një moment të papërshtatshëm kur Pëllumbi po lidhte këpucët e sportit, Duro duket se e ka tepëruar me forcën dhe lojtari ka rënë në tokë.

Reagimi i menjëhershëm erdhi nga Duro, që iu afrua Pëllumbit duke i thënë diçka (një lloj ndjese) dhe duke e motivuar për të dhënë më të mirën. Në fund Partizani përmbysi ndeshjen 2-1 dhe trajneri Duro kërkoi falje në dhomat e zhveshjes për një gjest që më shumë se përdorim force ishte në inerci e sipër mbërthyer nga tensioni i sfidës.

“Dua të shpreh ndjesën time më të sinqertë për veprimin e bërë gjatë ndeshjes. Ishte një reagim i nxitur nga emocionet e forta të momentit, pa asnjë mungesë respekti ndaj lojtarit tim. Episodi nuk përfaqëson as karakterin tim personal dhe as frymën e ekipit që drejtoj. Në skuadrën tonë, respekti, bashkimi dhe përkushtimi janë parime mbi gjithçka. Do të bëj çmos që situata të tilla të mos përsëriten më. Edhe një herë, kërkoj ndjesë për atë moment të papërshtatshëm", shkruan mes të tjerash Aldo Duro, trajneri i Partizanit U-18.

Mesazhi i Aldo Duro